E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis restaurimi i qytetit të një mbi një dritareve

Berati, pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore i mbrojtur nga UNESCO, nga fundi i muajit korrik  i është nënshtruar restaurimit, mbi bazë të një projekti të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me një fond prej 600 mijë USD. Shefi i Sektorit të Restaurimit të Banesave dhe Qëndrave Historike pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, Genc Samimi, tha  se projekti përfshin disa prej lagjeve kryesore të Beratit si lagjen Mangalem, Kala dhe Goricë.  Samimi bëri të ditur se "në qytet do të restaurohen tre prej ndërtesave me arkitekturë tipike, të djegura pak vite më parë si dhe do të ndërhyhet në një rikompozimin të mundshëm të disa fasadave dhe disa prej portave të tyre”. Sipas tij, një objektiv i rëndësishëm i këtij projekti restaurues është përmirësimi i pamjes kryesore të lagjes Mangelem për të cilën është menduar të ndërhyet edhe në ndriçimin e kësaj lagjeje duke i  kthyer asaj pamjen e më parshme. Gjithashtu, në disa rrugë karakteristike të qytetit do të ndërhyhet në përmirësimin dhe ndreqjen e kalldrëmit të dëmtuar me stil karakteristik për këmbësorët dhe për qarkullimin e mjeteve motorike. Në rrugën që të ngjit në Kala, rreth 1.5 km e gjatë dhe 4 m e gjerë do të fillojnë punimet nga rrethrrotullimi i ri   deri në lapidarin pranë saj, duke e kthyer këtë rrugë me parametra për 2 vija kalimi. Gjatë të gjithë rrugës do të përdoren gurë të shumtë dekorativë. Qyteti i Beratit, me një moshë mbi 2400 vjeçare, është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 m mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum. Berati nuk shquhet vetëm për lagjet e tij muzeale si  Kala, Mangalem, apo Goricë, por dhe vlera të shumta natyrore si mali i Tomorit, i lartë 2416 m, kanionet në shtratin e lumit Osum, objekte të shumta fetare në Tomor e Shpirag, etj. Berati u përket qyteteve të rrallë ku jeta fillon që në lashtësi dhe vazhdon pa u ndërprerë deri më sot. Krijimi i këtij qyteti daton fillimisht në periudhën e Bronzit në vitet 2600-1800 Para Krishtit. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se në shek. VII-VI Para Krishtit këtu është zhvilluar një vendbanim paraqytetar, me punishtet e tij të qeramikës dhe me një jetë shoqërore të diferencuar. Qyteti i mirëfilltë u themelua më 313-310 Para Krishtit si qytet-kështjellë i quajtur Antipatrea nga mbreti Kasandër në kujtim të gjeneralit mëkëmbës të Lekës së Madh. Ai është një qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme, që përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona: zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›