E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Re, asnjë gram klor në ujin e 25 mijë familjeve

 

Zirina Llambro

Janë më shumë se 25 mijë familje në periferi të Tiranës, të cilat furnizohen me ujë pusesh. Një pjesë e mirë e tyre e përdorin jo vetëm për gatim e larje, por edhe për konsum të përditshëm. Bëhet fjalë për bllokun e pallateve të ndërtuara tek unaza e re e  Yzberishtit, në varësi të Komunës së Kasharit. Në këto puse nuk ka asnjë gram klor. Siguria e ujit është zero. Për pasojë risqet për epidemi të mundshme sidomos gjatë kësaj periudhe mbeten madhore. Shqetësimin nuk e ngrenë vetëm qytetarët që banojnë aty, por edhe vetë specialistët e Drejtorisë së Higjienës. Sipas tyre, sidomos 2 muajt e fundit kanë ardhur me dhjetëra ankesa në këtë institucion për ndotje të ujit të puseve. Nën zë specialistët pohojnë se situata në këtë zonë është e rëndë dhe nëse nuk merren masa do të kthehet në një gangrenë të vërtetë, njësoj si zona e Golemit disa vite më parë. “Çdo ditë vijnë qytetarë që ankohen me të drejtë se uji i puseve është i ndotur. Nuk ka si te jetë ndryshe, pasi këto puse janë lidhur direkt në rrjetin e furnizimit me ujë. Si rregull duhet që këto puse të lidhen në mënyrë të tillë që të ketë mundësi, që uji të filtrohet dhe klorinohet, por një gjë e tillë nuk është bërë të paktën për një pjesë të mirë të këtyre pallateve”, shprehen specialistët e Drejtorisë së Higjienës. Ata shtojnë se matjet e bëra dëshmojnë për ndotje bakteriologjike të lartë. “Ndaj i kemi këshilluar banorët që ta ziejnë përpara konsumimit ose në rast të kundërt ta përdorin vetëm për larje”, shprehen inspektorët e Drejtorisë së Higjienës. Ata theksojnë se kjo zonë duhet patjetër të urbanizohet, të vihen në veprim planet urbanistike në të cilat patjetër duhet të zbatohet një plan i veçantë për rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm.
Banorët e zonës
Një pjesë e mirë kanë blerë shtëpitë dhe janë emigrantë jashtë vendit, por qindra të tjerë jetojnë çdo ditë me hallin e ujit të pijshëm. Jo pak prej tyre pranojnë se kanë mbetur edhe për ditë me radhë pa ujë. “Kam një vit që kam hyrë në shpi dhe na është bërë normale kjo mungesë. Në verë pusi nuk nxjerr ujë. Kur blemë shtëpinë na thanë se do të kishim ujë 24 orë po as me orar nuk kemi”, shprehet banori i një prej pallateve në zonën e Yzberishtit. Nëse vijon të pyesësh këtë problem e ngrenë dhjetëra familje. Ata pranojnë se nuk e konsumojnë pasi duket që është i ndotur që nga ngjyra. “Sidomos kur ka reshje vjen i turbullt dhe po të mbushësh qoftë edhe një bidon pas dy ditësh mban erë të rëndë”, pranojnë qytetarët. Ndërkaq, vetëm një pjesë e pallateve kanë mundur të lidhen me komunën për të siguruar një lidhje direkte nga ujësjellësi i zonës. Pjesa tjetër kur puset nuk nxjerrin më pikë detyrohen t’i furnizojnë banorët me ujë autobotesh. Nga sa pohojnë burime të sigurta nga Drejtoria e Higjienës, nga raportimet që kanë gjatë verës ka dhjetëra raste të prekjes nga hepatiti A, ose verdhëza në këtë zonë. “Kjo është e pashmangshme, pasi cilësia e ujit lë vërtet për të dëshiruar s’ka asnjë siguri dhe popullata e kësaj zonë është e pasigurt nga një numër i lartë sëmundjesh infektive, që vijnë si pasojë e ujit të ndotur”, theksojnë specialistët.

Këshilla

 Pastroni depozitat
 Zieni ujin
 Mos ndërhyni     në tubacione
 Mos konsumoni ujë   që ka erë apo ngjyrë

“Pastroni depozitat, janë vatra infeksionesh”
Për të shmangur shpërthimin e ndonjë epidemie të mundshme qytetarët duhet të pastrojnë depozitat e ujit. Apeli vjen nga Drejtoria e Higjienës. Sipas specialistëve, uji i ndenjur i tyre mund të jetë shkak për infektimin nga hepatiti A (verdhëzës) për qytetarët. Me temperaturat e larta të javëve të fundit ky rrezik bëhet gjithnjë e më prezent. Në shumë prej lokaleve të kryeqytetit dhe në familje konsumohet uji prej depozitave, ndërsa pastrimi i tyre në pjesën më të madhe të rasteve, nuk bëhet. Por edhe atëherë kur uji që përdoret është i ambalazhuar, burim infeksioni mund të jetë akulli që shërbehet. “Mungesa e ujit për 24 orë bën që në depozita, për shkak të vakumit në tubacione të precipitojnë papastërtitë. Dihet tashmë që për shkak të rrjetit të amortizuar të ujësjellësit, nga analizat që janë kryer ka rezultuar shpesh që uji të jetë i ndotur, duke rrezikuar kështu shëndetin e konsumatorëve”, theksojnë inspektorët e Drejtorisë së Higjienës. Depozitat minimalisht duhet të pastrohen një herë në 6 muaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›