E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një bust për Petro Markon

Petro Marko do të përjetësohet në një bust. Shkrimtari do t‘i kthehet vendit dhe shtëpisë ku ka lindur, në Dhërmi. Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë ka shpallur një konkurs, në të cilin janë ftuar të marrin pjesë të gjithë artistët dhe arkitektët që mendojnë se mund të realizojnë një bust për të lartësuar shkrimtarin e madh. Arkitekti do të përzgjidhet nga artisti për të bashkëpunuar në realizimin e maketit. Boceti i bustit duhet të jetë i realizuar në lartësinë 25-30 cm. Ai mund të krijohet nga një artist i vetëm, ose nga një grup artistësh. Është e nevojshme që boceti i skulptorit dhe boceti i maketit të arkitektit të ruajnë dimensionet, hapësirat dhe harmoninë e mjedisit të jashtëm, ku do të vendoset busti. Boceti duhet të dorëzohet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, brenda datës 9 shkurt 2009. Pesë ditë pas kësaj date do të shpallet edhe fituesi nga juria e këtij konkursi, e përbërë nga 5 anëtarë, personalitete nga fusha e artit dhe kulturës. Është menduar që lartësia e bustit të Petro Markos, i cili do të derdhet në bronz, të jetë 90-100 cm.

Petro Marko, në kulturën dhe letërsinë kombëtare është personalitet i përmasave të mëdha. Romanet e tij "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit" përbëjnë një kthesë të rëndësishme në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Në prozën e Petro Markos reflektohet triumfi i dashurisë dhe humanizmit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›