E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonidha Qose e Andrej Jussow, në TKOB

Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, violinisti Leonidha Qose dhe pianisti Andrej Jussow do të vijnë sot në koncert. Ata do të sjellin para publikut pjesë nga Beethoven, Sergei Prokofiev, Eugène Ysaÿe, Claude Debussy dhe Henryk Wieniawski. Koncerti, i cili organizohet në kuadrin e koncerteve të integrimit, ka sjellë në skenën shqiptare violinistin Leonidha Qose, i cili i ka kryer studimet në konservatorin helen për violinë, ku diplomohet shkëlqyeshëm. Më pas, merr mësime edhe në Gjermani, ku gjithashtu arrin rezultate të shkëlqyera. Leonidha Qose ka fituar në vitin 1998 çmimin e parë në Konkursin Mbarëkombëtar të Greqisë për violinistët e rinj në Athinë. Në 2001-shin fiton çmim special në Konkursin e ERT-it (Radiotelevizionit Grek) për orkestrën e të rinjve të Bashkimit Evropian. Leonidha Qose jep rregullisht koncerte si solist, recitale dhe koncerte muzikë dhome në Gjermani, Itali, Francë, Shqipëri, Greqi. Duke nisur prej vitit 2008, ai luan në grupin e violinave të para në Orkestrën Filarmonike të Fraiburgut. Krahas studimeve dhe aktiviteteve të pasura muzikore, ai jep mësim në Shkollën e Muzikës Hardt në Karlsruhe që prej vitit 2004.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›