Shoqata e taksistëve: “Vendosja e taksimetrave shmang abuzimet”
Emanuela Sako
Qytetarët që do të zgjedhin të udhëtojnë me shërbimin taksi në kryeqytet, tashmë do të kenë tarifa të përcaktuara për kilometrat që do të përshkojnë. Shoqata e Taksistëve 4+1 “Tirana”, kërkon vendosjen e taksimetrave për të gjitha shërbimet taksi në të gjithë vendin. Kryetari i Shoqatës, Gëzim Bardhi, sqaroi për gazetën “Albania” se është hartuar një relacion, ku parashikohen të gjitha tarifat e reja në bazë të kilometrave dhe orëve që do të përshkojë një taksist me klientin e tij. Tashmë relacioni është dorëzuar në Bashkinë e Tiranës dhe pritet që të diskutohet në Këshillin Bashkiak. Por, e veçanta e këtij relacioni qëndron se tarifat e përcaktuara nga vetë palët e interesit janë më të ulëta se ato që përcakton Ministria e Financës. Sipas Bardhit, vendosja e taksimetrave brenda taksisë dhe ulja e tarifave janë bërë për të shmangur abuzimet nga konkurrenca e pandershme. Mjaft taksistë të palicencuar ushtrojnë aktivitetin në të gjitha zonat e Tiranës, duke vendosur tarifat sipas dëshirës. Për këtë arsye vendosja e taksimetrit bën që qytetarët të njihen me çmimet reale të udhëtimit pa bërë pazar me taksistin.
Taksimetri
Taksimetri nënkupton tabelën e çmimeve të udhëtimit, duke pasur parasysh orën e udhëtimit, kilometrat e kryera, udhëtimi gjatë ditës dhe natës, udhëtimet jashtë rretheve etj. Të gjitha të dhënat janë vendosur në pjesën e dukshme të makinës, në kroskotin e automjetit. Në këtë pjesë është shkruar qartë emri i taksistit, numri i celularit, numri i taksisë, targa, çmimi me qindarka, që klienti duhet të paguajë për udhëtimin e kryer. Taksimetri është një pajisje elektronike e vendosur në kroskotin e taksisë, e cila bën të mundur kombinimin e llogaritjes së distancës së përshkruar, me tarifën e vendosur për çdo kilometër udhë të kryer. Në këtë mënyrë, klientët nuk do të bëjnë pazare për udhëtimin, por do të paguajnë në bazë të tarifave të afishuara në taksi dhe ngelet në dëshirën e tyre nëse do të pranojnë të udhëtojnë me ato tarifa ose jo. Specialistët e Ministrisë së Financave dhe të Bashkisë së Tiranës, në relacionin e hartuar prej tyre për vendosjen e taksimetrave, kishin vendosur tarifa të larta, të cilët do të ishin të papranueshme nga qytetarët. Shoqata e taksistëve ka përcaktuar që për distancën 2 kilometra, tarifa të jetë 300 lekë, ndërsa Autoritet shtetërore kanë vendosur që për këtë distancë tarifa të jetë 250 lekë. Por kështu, të gjitha shifrat variojnë në rritje. Kryetari i Shoqatës, kërkoi që të njëjtat tarifa të ndiqen edhe nga Këshillat bashkiak të qyteteve të tjera, si dhe nga taksistët në të gjithë vendin.
Konkurrenca
Shoqata e taksistëve kërkon nga autoritet zhdukjen e konkurrencës së pandershme, të cilët iu rrezikojnë çdo ditë punën e tyre, duke keqinformuar qytetarët me tarifat që i vendosin vetë. Statistikat tregojnë se vetëm në kryeqytet janë të licencuar rreth 400 taksi, ndërsa 900 të tjerë ofrojnë këtë shërbim taksi në mënyrë abuzive dhe të palicencuar. Muajt e fundit Shoqata e Taksistëve 4+1 “Tirana” është përshirë nga një valë protestash, duke kërkuar të drejtat e punës së tyre dhe minimizimin e konkurrencës së pandershme. Pak kohë më parë, ata kundërshtuan projektligjin e hartuar nga Ministria e Transporteve për liberalizimin e shërbimit taksi dhe heqjen përfundimtare të licencave. Sipas tyre, kjo do të sillte kaos në kryeqytet për shërbimin taksi, ku kushdo që dëshironte mund të punonte në këtë shërbim.
Myqerem Tafaj: “Ligji për Arsimin e Lartë do të ndryshojë së shpejti”
Ligji ekzistues i Arsimit të Lartë është i përkohshëm. Këshilltari i kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, bën të ditur se ky ligj së shpejti, brenda vitit 2010 do të pësojë disa ndryshime. Sipas tij, Strategjia e Arsimit të Lartë (2008-2013), parashikon qartësisht transformimin në një kohë sa më të shkurtër të mundshme, por në kohën e duhur të Institucioneve të Arsimit të Lartë nga institucione shtetërore në institucione publike, që marrin një grant nga qeveria dhe veç këtij granti kanë të drejtë të thithin burime financiare nga burime të treta private ose publike dhe t’i vetëqeverisin. Kjo deklaratë e Tafajt vjen pas asaj të bërë pak kohë më parë, në ditën e parë të fillimit të vitit akademik në universitete nga presidenti i vendit Bamir Topi, i cili u shpresë se ky ligji për arsimin e lartë duhet të reformohet. Madje, këshilltari i kryeministrit për arsimin pohon se nuk ka ndonjë ligj perfekt. “Ky ishte ligji më i mirë i mundshëm nga një konsensus midis ekzekutivit dhe komunitetit akademik, që u realizua në 2007. Por është një ligj i përkohshëm”,- thekson Tafaj. Në përputhje me Strategjinë e Arsimit të Lartë (2008-2013), do të vijë koha shumë shpejt që ligji i Arsimit të Lartë do të ndryshojë, duke i çuar IAL-të në institucione tërësisht publike që do të kenë bord, të vetëqeverisen, të garojnë në treg, duke përmbushur disa detyrime “sociale” që kushtëzohen nga ky grant që jep qeveria, të cilin nuk e përfitojnë universitetet private. Myqerem Tafaj sqaron se brenda këtij mandati ligji nuk ka shans të ndryshojë, pasi nuk ka bërë ende dy vjet që është në fuqi, por 2010 do të jetë një afat maksimal kur ligji i ri duhet të miratohet.
24 Tetor 2008