Nis rikonstruksioni i rrugës “Gjon Buzuku”, Basha: “Investimet do të sjellin një cilësi të munguar jete, kudo në Tiranë”
Një tjetër rrugë në kryeqytet, pas më shumë së 10 vitesh i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë të saj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar punimet në rrugën ”Gjon Buzuku”, Njësia Bashkiake nr.8, Tiranë.
“Ky është një investim i munguar prej dhjetëra vitesh dhe dua të garantoj banorët që sikundër edhe në zona të tjera, në periferi apo në qendër ku nuk është vënë dorë prej shumë kohësh, Bashkia ka një vëmendje të veçantë e cila po vërtetohet me ndërhyrjet tona. Nuk është thjesht një vëmendje në kuptimin platonik të fjalës por është një vëmendje financiare, buxhetore që po përkthehet në vepra publike. Në Tiranën e administratës së drejtuar nga unë, nuk ka “dele të zeza” dhe të “dele të bardha”. Paratë e qytetarëve për buxhetin e Tiranës do të shpenzohen në mënyrë proporcionale, sigurisht me theks të veçantë aty ku nevojat janë më të mëdha dhe më akute, siç është rasti me këtë zonë të vjetër autoktone të Tiranës por të lënë në harresë prej shumë kohësh” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Me një investim prej 18. 5 milionë lekësh, kjo rrugë me gjatësi 400 do të ofrojë një tjetër standard për 3 mijë banorët që jetojnë përgjatë saj. Në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi variabël nga 1 deri në 2.5 metra, do të ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, ndriçim etj. Afati i përfundimit të punimeve është 6 muaj.
“Standardi i punimeve nuk do të kompromentohet në asnjë çast. Aty ku ka nevojë për investime sa më gjithëpërfshirëse, aty do të bëhen, atje ku investimet kanë qenë gjysmake do të përfundohen. Në rastin konkret investimet janë gjithëpërfshirëse, përfshijnë rrjetin nëntokësor, sistemim-asfaltim shumë të thellë të zonës, duke përfshirë trotuaret dhe rrjetin elektrik dhe sipas kërkesave të komunitetit, Bashkia do të bëjë detyrën e vet, duke pastruar disa zona, disa vatra të mbetura në gjendje të mjerueshme prej kohësh, që sipas rastit janë ose pronë publike, ku bëhet fjalë për strehime të vjetra të Ministrisë së Mbrojtjes, ose pronë private por në rastin e pronës private, nuk do të cënohet, asnjë centimetër katror i pronës por vatrat e infeksionit do të eliminohen. Bëhet fjalë për afro 4 sheshe të tilla të cilat do të rehabilitohen, do të pastrohen dhe do të jenë në funksion të një cilësie të përmirësuar të jetesës për afro 3 mijë banorë, rezidentë të kësaj zone dhe mbi 5 mijë banorë të zonës më të gjerë që përdorin këtë arterie, ose si këmbësorë ose si automobilistë” – u shpreh kryebashkiaku Basha.
Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka garantuar banorët se punimet të cilat kanë nisur, do të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara. Z. Basha ka kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë që hasin sot, ndërsa punohet në të gjithë Tiranën por ai shprehu bindjen se përfundimi i këtyre investimeve do të sjellë një cilësi të munguar jete, një standard modern e evropian në këtë lagje të Tiranës, sikundër kudo ku Bashkia po investon.