Nis rikonstruksioni i rrugës së “Bogdanëve”, “Gjon Muzaka” dhe ”Mihal Duri”
Basha: Kabllot do të vendosën nën tokë brenda 2013-s
Kryebashkiaku Lulzim Basha ka inspektoi punimet e nisura nga Bashkia e Tiranës në 3 rrugë të kryeqytetit që shtrihen në “zemër” të tij, në njësinë bashkiake nr. 10 dhe konkretisht rruga e ”Bogdanëve”, “Gjon Muzaka” dhe ”Mihal Duri”.
“Fakti që ndodhemi në ‘zemër’ të Tiranës dhe që hasim akoma probleme të tilla është tregues i sfidave të mëdha, i problemeve të mëdha me të cilat përballet qyteti ynë por fakti që brenda një kohe të shkurtër, ne po ‘ngacmojmë’ dhe do të përfundojmë së zgjidhuri një problem i cili ka ekzistuar prej një kohe të gjatë është tregues i vendosmërisë, besimit të rigjetur tek Bashkia e Tiranës, për t’u shërbyer qytetarëve të saj në qendër dhe periferi. Mungesa e trotuarëve është penalizuese për këmbësorët, ndaj dhe jemi të vendosur që projektin ta realizojmë në të gjithë parametrat e tij me trotuare dhe veçanërisht rrugën ‘Mihal Duri’, trotuareve t’u shtohen edhe kangjellat mbrojtëse, në mënyrë që nga njëra anë qytetarët, veçanërisht fëmijët e të gjithë banorët që përdorin këtë zonë të jenë të sigurt dhe nga ana tjetër edhe trafiku të ketë një parashikueshmëri të lëvizjes në këto rrugë”, deklaroi Kryebashkiaku Basha.
Rruga e “Bogdanëve”, një investim prej 20.9 milionë lekësh ka një gjatësi 333 metra dhe gjerësi që varion nga 7 deri në 10 metra. Në të dy anët e rrugës parashikohet ndërtimi i trotuareve për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi 1.8 deri në 3 metra. Projekti parashikon dhe ndërtimin e sistemit të kanalizimeve. Afati i përfundimit të punimeve është 6 muaj. Rruga “Gjon Muzaka”, një investim prej 9. 3 milionë lekësh ka një gjatësi 320 metra. Në të dy anët e rrugës parashikohet ndërtimi i trotuarëve për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi 1 deri në 3 metra. Projekti parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve. Afati i përfundimit të punimeve është 5 muaj kalendarikë. Ndërkohë rruga ”Mihal Duri”, një investim prej 4.5 milionë lekësh ka një gjatësi 540 metra, me gjerësi që varion nga 7 deri 10 metra. Në të dy anët e rrugës parashikohet ndërtimi i trotuareve për kalimin e këmbësorëve, me gjerësi 1 deri në 2.5 metra. Afati i përfundimit të punimeve është 3 muaj.
Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka bërë të ditur se të gjithë kompanitë e telekomunikacionit kanë afat të zhvendosin kabllot e tyre ajrore deri më 1 janar të vitit 2014.
“Të gjithë kabllot, tha Kryebashkiaku, do të vendosen nën tokë. Kreu i Bashkisë së Tiranës ka risjellë në vëmendje edhe propozimin që i ka bërë Këshillit Bashkiak, i cili mblidhet më 28 shkurt, për të miratuar listën me 260 objekte që do të pajisen me leje përdorimi, duke u hapur rrugën hipotekimit të tyre. Gjej rastin të komunikoj edhe njëherë sot për qytetarët e Tiranës, veçanërisht për ata që jetojnë në apartamente të blera sipas ligjit por që akoma nuk kanë lejet e përdorimit apo shfrytëzimit të tyre. Dua t’i siguroj se së bashku me infrastrukturën e përmirësuar, ne jemi të vendosur t’i japim edhe parametra të tjerë të qenit qytetarë dhe të jetuarit si qytetarë normalë evropianë, ato të titujve të pronësisë. Për këtë arsye në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të paraqitet lista e 260 objekteve të banimit, afro 11 mijë apartamenteve që përfitojnë nga akti normativ i qeverisë, për t’i pajisur ato me leje përdorimi dhe me pas hipoteka”, u shpreh Basha.