Nis rikostruksioni në tre faza e qendrës së Durrës. Ivestimi arrin në vlerën e rreth 6 mln euro
Projekti për rikonstruksionin e qendrës së qytetit të Durrësit do të zbatohet në tre faza dhe financimi i bashkisë për realizimin e tij, arrin në rreth 6 milion euro. Këshilli i rregullimit të Territorit pranë bashkisë së qytetit bregdetar gjatë mbledhjes së organizuar mbrëmjen e kaluar ka vlerësuar detajet teknike që u paraqitën nga arkitekti italian Michele Cro, fitues i konkursit ndërkombëtar që u zhvillua në janar të këtij viti për rivitalizimin e sheshit qëndror dhe godinave rreth tij. Realizimi i projektit fitues do të zbatohet në tre faza që do të nisin me godinat dhe hapësirën pranë bashkisë dhe xhamisë së qytetit, për të vijuar më pas me pjesën qendrore të sheshit "Liria" dhe një pjesë të bulevardit "Dyrrah". Gjatë fazës së fundit do të rikonceptohen sheshet me destinacion arkeologjik pas pallatit të kulturës dhe pranë rrugës "Spiro Golgota", ku ndodhen rrënojat e forumit rrethor mesjetar dhe farit antik të qytetit. Sipas përllogaritjeve të studios italiane zbatimi i plotë i projektit do të kërkojë një investim të përgjithshëm prej rreth 6 milion euro. Projekti italian, i cili fitoi të drejtën e realizimit mes 36 studiove pjesmarrëse, parashikon krijimin e një hapësire me dy nivele në shërbim të qytetarëve, shtimin e gjelbërimit, ngritjen e vaskave dekorative të ujit dhe dekorime të tjera interesante. KRRT vendosi të shqyrtojë në një mbledhje të veçantë brenda javës së ardhshme lejen për sheshin e ndërtimit në fazën e parë të projektit, si dhe të gjitha kërkesat për leje ndërtimi nga qytetarët apo firmat e ndërtimit në këtë zonë. Faza e parë e projektit do të financohet nga bashkia me një shumë prej rreth 1.4 milion euro, ndërsa realizimi i plotë i tij do të kërkojë rreth 6 milion euro. Sheshi qendror i Durrësit dhe rruga Tregtare drejt hyrjes së portit detar kanë marrë pamjen që kanë sot pas tërmetit të vitit 1926, kur bashkia e qytetit vendosi të ndryshojë pamjen mesjetare të qendrës që trashëgohej nga pushtimi i gjatë osman.
...