Nis seanca plenare, pritet miratimi i kodit rrugor dhe pr/buxhetit
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot punimet ku pritet të miratohet kodi rrugor dhe projektbuxheti i vitit 2012. Seanca e kaluar e Kuvendit u shty nga Konferenca e kryetarëve pasi u debatua për kodin rrugor i cili nuk kishte marrë miratimin e komisionit përgjegjës, atij të veprimtarisë prodhuese.Në lidhje me këtë çështje komisioni i veprimtarisë prodhuese u mblodh sot para fillimit të seancës plenare ku miratoi kodin rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Në fillim të seancës plenare me kërkesë të ministrit të mjedisit Fatmir Mediu, Kuvendi mbajti një minut heshtje për nder të Sabri Godos, deputet në 2 legjislatuara të Kuvendit i cili ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
Ndërkohë një tjetër pikë e rëndësishme në seancën e sotme plenare është edhe miratimi nen për nen dhe më pas në tërësi i projektbuxhetit të vitit 2012. Në seancën e kaluar, Kuvendi miratoi me 74 votat e maxhorancës buxhetin e shtetit për vitin 2012 pas një seance maratonë që zgjati më shumë se 14 orë.
Shqyrtimi i projektbuxhetit në seancën e kaluar solli debate të ashpra mes kryeministrit Berisha dhe deputetëve të opozitës.Shefi i qeverisë e mbrojti buxhetin duke theksuar se qëllimi madhor i tij është rritja e rrogave dhe pensioneve ndërsa opozita votoi kundër draftit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i ofroi qeverisë një marrëveshje për votim konsensual nëse ajo do të plotësonte disa kushte, ku i pari ishte ai për uljen e taksës për pagat e ulta. Por qeveria nuk pranoi asnjë nga propozimet e opozitës dhe kryeministri Berisha i cilësoi ato si një politikë të dështuar.