Nis seanca plenare, pritet të shqyrtohen ligjet me 3/5

Nis me 1 orë e gjysëm vonesë seanca plenare e Kuvendit, ndërkohë që në rend të ditës do të jenë ligjet që kërkojne votën e opozitës për t`u miratuar.
Seanca ishte planifikuar për të nisur në orën 10:00, por u shty për një orë për shkak të mbledhjes së Kryetarëve të grupeve parlamentare .
Në Kuvend pritet të diskutohen dhe hidhen për miratim projektligjet e rëndësishëm si "Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”, gjashtë projektligje me ndryshime për Kodin Penal, me katër nisma legjislative; Kodin Rrugor, me tre nisma legjislative; Kodin Hekurudhor; Kodin Detar, me dy nisma legjislative si dhe Kodin Ajror të Shqipërisë si dhe një interpelancë me ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi e kërkuar nga deputeti socialist Erjon Braçe.
Në fund të seancës sipas rregullores së Parlamentit do të jetë një minutash prej 60 minutash gjatë të cilit deputetët do të diskutojnë jashtë rendit të ditës.