Nis shërbimi i kujdestarisë për fëmijët e braktisur
Për herë të parë në vendin tonë, fëmijët që kanë humbur kujdesin prindëror, thënë ndryshe janë braktisur, do të jetojnë me familje që marrin përsipër kujdesin e tyre. Mnistria e Punës bën të ditur se ka nisur aplikimi i shërbimit të kujdestarisë për fëmijët si një shërbim i ri alternativ dhe i përkohshëm, që u vjen në ndihmë fëmijëve, të cilët kanë humbur kujdesin prindëror. Reforma e ndërmarra në Shqipëri në fushën e shërbimeve sociale është fokusuar në decentralizimin dhe deinstitucionalizimin e shërbimeve, duke synuar ngritjen e shërbimeve sa më pranë komunitetit dhe largimin nga shërbimet e mbyllura rezidenciale në shërbime komunitare dhe të tipit shtëpi familje.
Për të diskutuar rreth risive të këtij shërbimi që aplikohet për herë të parë në Shqipëri si dhe reformës që është ndërmarrë për shërbimet shoqërore në përgjithësi dhe hapat që duhet të hidhen në të ardhmen, me institucionet përgjegjëse, donatorët dhe shoqërinë civile, Ministria e Punës, UNICEF dhe rrjeti i fshatrave SOS në Tiranë, po organizojnë një konferencë kombëtare dyditore në Tiranë me temë: “Reforma e shërbimeve sociale për kujdesin alternativ të fëmijëve”. Ministri i Punës, Spiro Ksera, duke u ndalur tek shërbimet për fëmijë, u shpreh se: “Shërbimet synojnë të mbështesin prindërit dhe familjet, në mënyrë që të mundësojnë që fëmijët të rriten në mjedis familjar, atmosferë të ngrohtë, me dashuri, mirëkuptim dhe mbrojtje”. Sipas tij, futja për herë të parë e shërbimit të kujdestarisë për fëmijët do t’u vijë në ndihmë veçanërisht fëmijëve të rrezikuar nga dhuna, shfrytëzimi, neglizhenca apo abuzimi, të cilët synohet të mbështeten jo më nëpërmjet strehimit në institucione rezidenciale, por sistemimit në familje kujdestare. Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Detlef Palm, e konsideroi shumë të rëndësishme reformën e ndërmarrë në Shqipëri në fushën sociale, veçanërisht në njohjen dhe garantimin e të drejtave universale të fëmijëve. Sipas Palm, shërbimi i kujdestarisë për fëmijët, edhe pse aplikohet për herë të parë në Shqipëri pritet të jetë i sukseshëm referuar traditës së fortë familjare që ekziston.