Nis sot zbatimi i ligjit për pensionet private
Duke filluar që sot ka hyrë në fuqi ligji për pensionet private ose vullnetare. Sipas këtij ligji krahas pensionit shtetëror të gjithë personat që derdhin kontribute në mënyrë private pranë shoqërive të administrimit që licencohen nga autoriteti i mbikëqyrjes financiare mund të përfitojnë një pension të dytë. Ky ligj i përafrohet kuadrit ligjor të Bashkimit Europian për pensionet duke favorizuar kështu edhe bizneset private. Për të përfituar nga skema e pensioneve private,
çdo i interesuar, mund të investojë letra me vlerë, para, apo çdo pasuri tjetër. Sipas draftit, çdo individ, pavarësisht moshës apo faktit nëse është në punë apo jo, mund të bëhet pjesë e skemave private të pensioneve. Kontributi që mund të derdhet është pa limit, por Ministria e Financave lehtëson nga taksat deri në 200 mijë lekë në vit. Pensionet private në Shqipëri ndodhen në një fazë fillestare dhe gati primitive. Sipas Ligjit, kemi dy lloje fondesh pensioni. Fondi i Pensionit Vullnetar, që përfaqëson bashkësinë e individëve fizikë, të cilët mund të marrin pjesë në një apo disa plane pensioni. Në këtë rast, midis individit dhe Shoqërisë Administruese të Fondit të Pensionit lidhet një kontratë, ku përcaktohen kushtet dhe detyrimet që kanë palët, për të përfituar pension vullnetar. Pjesëmarrës në një Fond Pensioni, mund të jetë çdo individ, pavarësisht nga vendbanimi, mosha, madhësia e kontributit, etj., vetëm pasi ka lidhur më parë kontratën me Fondin. Fond Pensioni Profesional që përfaqëson dëshirën e punëdhënësit privat ose shtetëror, të sigurojë tek një Fond Pensioni punonjësit e tij, me një plan pensioni profesional. Në këtë rast, midis punëdhënësit dhe Shoqërisë Administruese të Fondit të Pensionit lidhet një kontratë aderimi, ku specifikohen kushtet që duhet të plotësojnë të dy palët, emrat e personave që do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, masa e kontributit mujor, afati kohor, etj. Lehtësirat tatimore të kontributeve të anëtarëve të fondit të pensionit. Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi. Fitimi që realizohet nga investimi nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese. Kontributet e bëra nga punëdhënësi, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale. Problematika e sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe ajo e pensioneve në veçanti, është mjaft e gjerë dhe komplekse, kjo për faktin se me to është e lidhur direkt dhe indirekt e tërë popullsia.