Nis të firmoset një peticion kundër monumentit të ri të pavarësisë

Monumenti i Pavaresise- 1997
Nga Dukati i Vlorës ka nisur të firmoset një peticion kundër ngritjes së një monumenti të ri për pavarësinë në Tiranë. Peticioni është hartuar nga Shoqata Dukati me argumentin se ka një monument të pavarësisë në Vlorë. Peticioni do të udhëtojë për në Vlorë, Tiranë e deri në Prishtinë. Më poshtë deklarata e Shoqatës Dukati.
Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë pakënaqësi as me zë as nën zë nga ndonjë shqiptar në çdo cep të trevave shqiptare se pse Monumenti i Pavarësisë së Shqipërisë është vendosur në Vlorë dhe jo në Tiranë apo gjetkë, përkundrazi në çdo vit qytetarët e kryeqytetit të parë shqiptar festojnë ditën e shënuar dhe bashkë me ta çdo Shqiptar në mbarë botën. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë as me zë as nën zë, që Shqipërisë i duhen 2 monumente pavarësie, një në Tiranë dhe një në Vlorë. Nuk është fjala për zëra të tillë në regjimin e mëparshëm, që natyrshëm të mos dëgjoheshin, por për këto 2 dekada të demokracisë në Shqipëri, një monument tjetër i Pavarësisë nuk ka qenë në axhendë as të historianëve, as të artistëve, as të politikës dhe natyrisht as të popullit. Ngritja sot e një monumenti të tillë mund të jetë një keqdashje apo paranojë e dikujt fryrë në vesh të kryeministrit aktual, apo paranojë e vetë kryeministrit, nga goja e të cilit kemi dëgjuar këtë ide, e cila vërtet jo vetëm që nuk i shton asnjë vlerë shtetit shqiptar apo Tiranës në planin historik apo urbanistik, përkundrazi sjell pështjellime të paparashikuara (ose të parashikuara) sociale, thellon ndasitë në vend dhe shanset janë, se edhe pse po u bë me kokëfortësi, në një kohë tjetër të hiqet. Gjëja më e keqe do shpaloset qysh në këtë 100 vjetor që do i bëjë shqiptarët qesharakë para botës. Një pjesë e udhëheqjes së shtetit do festojnë në Tiranë, pjesa tjetër do festojnë në Vlorë. Socialistët në Vlorë, demokratët në Tiranë, po presidenti? Po trupi diplomatik? Po shqiptarët jashtë Shqipërisë? Ndoshta dikujt i intereson të bëhet një lëmsh i tillë në Shqipëri.
Është më e pranueshme të prishet monumenti i Pavarësisë në Vlorë dhe të ndërtohet në Tiranë se sa të ketë 2 monumente të Pavarësisë së Shqipërisë. Por kjo nuk mund të ndodh sot. Nuk ka fadromist apo ushtri që do të guxonte ti afrohej monumentit të pavarësisë në Vlorë, sot.
NË 200 vjetor të Pavarësisë? Ndoshta. Deri atëherë nuk na arrin forca e parashikimit