Nis tryeza e dialogut në Presidencë, Rama e Berisha përballë njëri-tjetrit

Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i opozitës Edi Rama, janë ulur sot përballë njëri-tjetrit në takimin e thirrur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
I pari në Presidencë ka mbërritur kreu i shtetit Topi, e më pas kryesocialisti Rama dhe kreu i e qeverisë Berisha.
Takimi ka nisur në orën 11:00, ashtu si ishte parashikuar.
PS është ulur në tryezë me një memorandum dërguar pak para tryezës. Memorandumi i dërgohej Presidentit Bamir Topi, por në të nuk shkruhej qartësisht kërkesa për "hapjen e kutive".
Kryeministri Sali Berisha ishte i shoqëruar në këtë takim nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ndërsa kryetari i opozitës, Edi Rama shoqërohej nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi.
Mbledhja po mbahet në sallën e takimeve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, që pas ristrukturimit të Presidencës është një sallë fare pranë hyrjes qendrore.
Media është lejuar vetëm në fillim të takimit, dhe më pas vijoi e mbyllur.