Nis viti i ri akademik, protestojnë studentët
I shoqëruar nga policia ka lënë mjediset e Fakultetit të Mjekësisë, studenti që kishte nxjerrë një banderolë për të kërkuar heqjen e stazhit nga universiteti. Ndërkohë, në anën tjetër të Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë, dhjetëra studentë ankoheshin për mosinformim mbi kalimin në vitin pasardhës akademik, si edhe për mitmarrje nga ana e pedagogëve. Pas shumë vitesh, ngjyrat e nisjes së vitit të ri akademik u rindezën, duke lënë pas kësaj radhe aktivitetet ceremoniale në fakultete, e duke vënë në pah kërkesat e studentëve.
Dje, në të gjitha universitetet publike të vendit nisi viti i ri akademik 2008-2009. Më shumë se 120 mijë studentë, prej të cilëve 22 mijë të rinj, u thirrën për t`u ulur në auditorë në këtë fillim viti akademik. Disa të tjerë, kahëkundërt, kërkuan që studentët të trajtohen me dinjitet dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes, ashtu sikurse ishte premtuar.
Protestat
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kërkuan edhe një herë dje rishikimin e vendimit të këshillit akademik për rivendosjen e stazhit, në kundërshtim të premtimit që dekani i fakultetit u kishte bërë studentëve. Në prani të Presidentit të Republikës, rektorit të Universitetit të Tiranës dhe ministres së Shëndetësisë, ata ui ribënë thirrje autoriteteve të këtij fakulteti që të dëgjojnë ankesat e studentëve.
Sakaq, në Fakultetin Ekonomik, studentë, kryesisht të viteve të treta dhe të dyta, u grumbulluan jo për t`u ulur të qetë si çdo fillim në bankat e tyre, por bënë thirrje publike për informim. “Nuk jemi të informuar mbi mënyrën si kalon nga një vit akademik në tjetrin, – thanë përfaqësues të qeverisë studentore. – Duhet që vendimet e marra të konsultohen me përfaqësuesit e studentëve”. Ata akuzuan edhe pedagogë për mitmarrje në këtë fakultet.
Kule: Të përkrahim studentët
Ndërkohë, thirrjes së vazhdueshme të studentëve u është përgjigjur rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule. Gjatë fjalimit të mbajtur në Fakultetin e Mjekësisë ai u ka kërkuar të gjithë pedagogëve që të jenë në një frymë me studentët e t`i trajtojnë ata në mënyrën që e meritojnë.
“Përcillni sa më shumë përkushtim, profesionalizëm, përgjegjësi dhe dashuri ndaj tyre, që edhe ata, kur të bëhen mjekë, të transmetojnë të njëjtën sjellje ndaj nesh. Trajtojini dhe mësojuni profesionin si të ishin fëmijët tuaj dhe, me këtë rast, po ju komunikoj vendimin që kam marrë: të gjithë fëmijëve të pedagogëve mjekë që kanë bërë kërkesë për të transferuar studimet në vite të ndërmjetme nga universitete të tjera publike dhe jopublike për në degët e Fakultetit të Mjekësisë të UT-së, ua kam miratuar kërkesën, në funksion edhe të mesazhit që ju përcolla”, – deklaroi rektori Kule.