Nis viti i ri shkollor, Tafaj uron nxënësit
36 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës
Plot 579 mijë nxënës të sistemit parauniversitar dhe fëmijë kopshtesh, do të nisin të hënën vitin e ri shkollor 2012 - 2013.
Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, 36 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës për të nisur rrugën e gjatë të dijes dhe 75 mijë fëmijë u drejtohen kopshteve.
Ministri i Arsimit dhe shkencës, Myqerem Tafaj ka uruara të gjithë nxënësit dhe mësuesit për fillimin e vitit të ri akademik.
“Urimi i parë si gjithnjë shkon për ju vogëlushë, ju nxënës që uleni për herë të parë në bankat e shkollës, për ju që përcilleni nga dora e prindit dhe shtrëngoni dorën e mësuesit, për të nisur rrugën e gjatë, por të bukur të dijes, ju keni sot në duar abetaren mbarëkombëtare. Një urim për të gjithë ju nxënësit e klasave të tjera që në këtë ditë e ndjeni veten më të rritur e më të ditur dhe që jeni fort të motivuar për t’u bërë më të aftë për veten familjen dhe shoqërinë. Një urim edhe për ju mësues dhe mësuese që meritoni mirënjohje dhe nderim”, deklaroi Myqerem Tafaj, Ministër i Arsimit.
Numërohen gjithsej 358 mijë nxënës që ndjekin shkollat 9-vjeçare dhe 146 mijë nxënës arsimin e mesëm.
Sipas Ministrit të Arsimit, Tafaj nga viti në vit është shënuar një rritje e numrit të nxënësve që frekuentojnë arsimin profesional, duke marrë një orientim të caktuar për tregun e punës. Aktualisht numërohen 21 mijë nxënës që ndjekin shkollat profesioanle në vend. Gjatë këtij viti, veçanërisht në shkollat e mesme, numri i nxënësve në klasa pritet të jetë më i madh për shkak të rritjes së numrit edhe nga kthimi i emigrantëve.
Policia e Tiranës merr masa për nisjen e vitit shkollor
Policia e Tiranës merr masa për nisjen e vitit të ri shkollor. Të hënën prej orës 6:30 shërbimet e policisë rrugore dhe të rendit do të jenë në kryqëzimet kryesore dhe zonat e shkollave për të disiplinuar trafikun e mjeteve për shkak të ngarkesë që sjell dita e parë e shkollës. Shërbime të patrullave të përgjithshme do të patrullojnë në oraret e nisjes së mësimit dhe pushimeve pranë shkollave, ndërsa do mbahen në monitorim zonat dhe lokalet pranë shkollave për tregtimin e alkoolit e duhanit, apo dhe për aktivitetet e shpërndarjes së drogave.
Të premten drejtuesit e Policisë së Tiranës, prefekti Keltis Kruja dhe përfaqësues të drejtorisë arsimore zhvilluan një takim për të analizuar dhe përmirësuar masat për sigurimin e rendit dhe qetësisë në shkolla, parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale ndaj nxënësve dhe personelit mësimdhënës, si dhe krijimin e një dimensioni të ri në drejtim të marrëdhënieve polici-komunitet.