E Diel, 1 Nëntor 2026

Minxhozi: Kryebashkiaku i Klosit shkel kushtetutën, nuk dorëhiqet

 

Kandidati i PS për deputet në qarkun e Dibrës, Qemal Minxhozi, denoncon rastin e kryetarit të Bashkisë Klos, Bedri Hoxha, i cili sipas tij nuk ka dhënë dorëheqje si kryetar. “Kemi të bëjmë me mospërputhje mandatesh, mes mandatit të kryetarit të bashkisë dhe deputetit. Në këtë mënyrë, kryetari i Bashkisë Klos ka shkelur Kushtetutën, e cila përcakton fare mirë se kur duhet të jepet dorëheqja e një kryetari komune apo bashkie. Ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen që kur pranoi të jetë në listën e PS-së si kandidat për deputet”. Ndërkohë pas këtyre akuzave ka reaguar dje kandidati i PD-së, Bedri Hoxha. “Unë e kam dhënë dorëheqjen që në 28 maj dhe për këtë kam vënë në dijeni sekretarin e Këshillit Bashkiak, siç edhe parashikohet në ligjin për pushtetin lokal. Në të njëjtën kohë, unë firmën ia kam deleguar nënkryetarit të bashkisë dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme”, tha Hoxha i kontaktuar nga gazeta. Ndërkohë PS apeloi sërish që KQZ-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e çështjes së kandidatëve që janë të zgjedhur vendorë, duke shkelur ligin njëkohësisht. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj përsëriti sërish se ky institucion duhet të ndërhyjë për të zgjidhur këtë situatë. Nga ana e tij, kreu i KQZ-së, Arben Ristani e cilësoi si të pavend pretendimin e ngritur nga partia më e madhe e opozitës, duke shtuar se kjo çështje nuk i përket institucionit që ai drejton. “Mendoj se çështjen po e ngrini në një vend të gabuar, nuk jemi ne që e trajtojmë, por do të jetë Këshilli i Rregullores dhe Mandateve që do të vendosë për vlefshmërinë e mandatet të deputetëve që do të fitojnë në këto votime”, tha Ristani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›