E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthim apo rol i ri i FMN-së

ADRIAN CIVICI 

Në këtë prag zgjedhjesh në Shqipëri, krahas debateve të shumta të vlefshme në përmbajtjen e tyre apo edhe thjesht elektorale, është shfaqur përsëri tema e raporteve tona me FMN dhe mbi të gjitha prezenca dhe roli i saj i mundshëm në ... muajt apo vitet në vazhdim. Duke iu referuar debateve të nxehta të muajve janar dhe shkurt të këtij viti në lidhje më përsëritjen apo jo të një marrëveshjeje të re të qeverisë shqiptare me FMN dhe “qëndrimit zyrtar” se tashmë ne kemi arritur në një stad zhvillimi e qëndrueshmërie  treguesish makroekonomikë, që nuk na obligon nënshkrimin e një marrëveshjeje të re, por na mjafton bashkëpunimi në kuadrin e “artikullit 4”, duket sikur mbas zgjedhjeve Shqipëria do t’i rikthehet një qëndrimi dhe akordi të ri me FMN. Ndonëse dy liderët kryesorë politikë janë në llogore të ndryshme në retorikën e tyre, duket se faktorë të tjerë më thelbësorë e më strukturorë, të para këto edhe nën optikën e situatës post-zgjedhje apo post-krizë, do të vendosin për një ngritje të nivelit të bashkëpunimit dhe prezencës së FMN në Shqipëri, të paktën për një periudhë afat-mesme disa vjeçare.
Cilët janë disa nga faktorët që mundësojnë një hamendje apo “parashikim” të tillë? Dhe, mbi të gjitha, sa jemi gati ta pranojmë FMN në rolin e saj të vërtetë e thelbësor, siç e kemi pasur deri në fund të 2008, apo ta kushtëzojmë pranimin në raport me përdorimin apo paragjykimin e imazhit dhe prezencës së saj në kuadrin e qëndrimeve të brendshme subjektive politike, elektorale e post-elektorale.
Së pari, eksperienca 17-vjeçare e bashkëpunimit të së gjitha qeverive shqiptare me FMN në kuadrin e marrëveshjeve ka qenë mjaft e suksesshme dhe përcaktuese për menaxhimin e financave publike dhe ruajtjen e ekuilibrave kryesorë makroekonomikë të vendit. Bile, në një farë mënyre, ishte pikërisht ky sukses që “prodhoi” dhe argumentet mohuese se “tashmë nuk kemi nevojë për FMN dhe përtëritjen e marrëveshjes me të”, se “jemi të pjekur politikisht e profesionalisht” për të marrë vendimet e duhura duke e preferuar FMN “në rolin e këshillueses apo asistentes së jashtme”. Natyrisht, në fund të periudhës së tranzicionit, apo pse jo, edhe në vigjilje të një “epoke” post-tranzicion që duket se po fillojmë, argumentet se “roli i FMN” ka mbaruar dhe Shqipëria, gjithnjë e më tepër “duhet të fokusohet drejt Brukselit dhe kritereve të Manstricht-it”, apo se “tashmë e kemi pjekurinë e nevojshme qeverisëse” janë më se të besueshëm. Por këtu fillon dhe problemi. A jemi vërtet aq të “pjekur politikisht e institucionalisht” sa të jemi të sigurt në vendimet dhe politikat që kanë të bëjnë me “thembrën e Akilit” të qëndrueshmërisë së sistemit financiar në përgjithësi dhe financave publike në veçanti? Na duhet të menaxhojmë me kujdes e jashtë pasionit apo subjektivitetit politik e elektoral tregues të tillë si madhësia e borxhit publik si borxh i brendshëm apo i jashtëm, madhësia e deficitit buxhetor, deficiti i bilancit të pagesave, sistemi i sigurimeve shoqërore, sasia, cilësia dhe besueshmëria e statistikave, etj. Dhe, në këtë kuadër, na duhet të marrim vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikat e pagave, tatimeve e taksave, të ardhurave buxhetore, kredive të brendshme e të jashtme, orientimin e shpenzimeve publike, prioritetet e zhvillimit ekonomik e social, etj.
Debati aktual politik në Shqipëri zhvillohet pikërisht në këtë shtrat. Pozita dhe qeveria aktuale pretendon se nuk e ndjen më të nevojshme prezencën imponuese e orientuese të FMN siç ka qenë me tre marrëveshjet e periudhës 1992-2008. Bile shkohet akoma më tej dhe FMN cilësohet “si një faktor negativ që shumë vende të tjera nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë apo i kanë ndërprerë marrëdhëniet me të”. Opozita, nga ana e saj, e shqetësuar për manovrimet dhe vendimet e qeverisë, sipas vlerësimeve të saj në dëm të ekuilibrave dhe standardeve cilësore që kanë të bëjnë me madhësinë e borxhit publik, deficitin buxhetor, bilancin e pagesave, cilësinë dhe vërtetësinë e statistikave zyrtare, prekjen e Shqipërisë nga kriza globale, etj., kritikon “largimin” e FMN dhe premton rifillimin e marrëdhënieve të plota me të nëse merr mandatin qeverisës mbas zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këtë rast, pikëpyetja e madhe rezulton me tre të panjohura ose dhe shumë të njohura : nuk dimë të marrim vendime të drejta e të sakta sipas rekomandimeve të FMN?....e dimë saktë se çfarë duhet të bëjmë, por për arsye voluntariste, koniunkturore apo elektorale shkelim “kriteret” dhe “filtrat” e FMN-së?....FMN e duam si garant, por dhe si justifikim për mundësitë dhe pamundësitë e politikave tona të ardhshme ekonomike e financiare? Nëse FMN e “duam” apo “nuk e duam” për njërën nga tre arsyet e mësipërme atëherë çështja mbetet një zgjidhje e brendshme e jona dhe maksimumi që mund të pretendohet do të ishte thjesht një rikthim në një marrëveshje të katërt me FMN dhe një “komoditet” më i madh për politikën dhe qeverisjen. Pra, në një farë mënyre, pranimi se kemi apo nuk kemi nevojë për një “kujdestar” apo “tutor” të financave dhe zhvillimit tonë; nëse jemi të aftë të rezistojmë shumë muaj apo vite si “të pavarur” në qeverisje e politika zhvillimi.
Së dyti, në shumë nga diskutimet apo propozimet publike në lidhje me domosdoshmërinë e rikthimit të FMN-së evidentohet fakti se “Shqipëria mund e duhet të jetë më e vëmendshme që në këtë periudhë krize të përfitojë nga kreditë e ofruara nga FMN për vendet në krizë apo ato me probleme të veçanta në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemeve të tyre financiare e ekonomike”. Aq më tepër që aktualisht, në nivel ndërkombëtar, kur flitet për FMN dhe vlerësimin e saj, vërehet një ndryshim rrënjësor i optikës mbi rolin e saj të ardhshëm në këtë botë në krizë, por dhe në periudhën e ardhshme post-krizë. E vënë me shpatulla për muri si “simbol i liberalizmit” dhe “xhandari i tmerrshëm financiar”, si “makthi i shumë qeverive e vendeve”, sot FMN duket se po përjeton një rilindje të dytë për rëndësinë dhe imazhin e saj. E krijuar në vitin 1944 në Bretton Woods të shtetit New Hampshire (SHBA) si reagim ndaj krizës së viteve 1930, FMN kishte si mision promovimin e kooperimit monetar ndërkombëtar, stabilitetin e kurseve të këmbimit dhe rritjen e qëndrueshme të tregtisë dhe ekonomisë botërore. Mbi të gjitha, ajo kujdesej për kontrollin e stabilitetit financiar të vendeve anëtare, duke bërë çdo vit një “audit” të hollësishëm për situatën e çdo vendi. Në çdo rast që konstatoheshin kriza apo situata që mund të çonin në kriza, FMN ndihmonte financiarisht këto vende që të mbronin monedhat e tyre, stabilizonin financat publike dhe garantonin ekuilibrat kryesorë makroekonomikë. Por, ky rol, sidomos në kuadrin e të famshmit “konsensus i Washingtonit”, në shumë raste u cilësua si “imponues”, si “drastik”, si “jo social”, si “imponues i liberalizmit ekstrem”, si “kufizim i mundësive së qeverive për të vendosur lirisht për politikat e tyre të zhvillimit ekonomiko-social”, etj. Kriza ekonomike globale aktuale duket se përkoi edhe me një imazh negativ mbi FMN dhe rolin e saj, sidomos tek vendet e varfra dhe ato në zhvillim.
Por situata e 6 muajve të parë të vitit 2009 dhe disa vendime të rëndësishme në nivel ndërkombëtar duket se po i paraprijnë një roli dhe imazhi të ri për FMN. Kongresi Amerikan, G20, etj., i kanë hapur dritën jeshile FMN duke vënë në dispozicion të saj një shumë pothuajse të barabartë me 1000 miliardë dollarë në funksion të një roli të ri të saj në stabilizimin financiar dhe mbi të gjitha, për t’u ardhur në ndihmë vendeve të prekura direkt apo indirekt nga kriza. Në këtë kuadër, FMN ka krijuar së fundmi një linjë të re kreditimi të cilësuar si të “modifikueshme” e pa kushtëzime paraprake të destinuar për vendet në vështirësi financiare si dhe ato që kanë nevoja të domosdoshme për të mbështetur zhvillimin ekonomiko-social të tyre. Disa vende të Ballkanit dhe të Evropës qendrore e lindore janë duke përfituar jo pak nga këto lloj kredish të reja të FMN-së, të cilat natyrisht kanë dhe “detyrimet” e tyre që lidhen me një disiplinë të rreptë financiare, por që në këtë rast janë disi larg atyre tradicionale aq shumë të diskutuara si “imponime”.
A duhet të përfitojë Shqipëria nga kjo situatë dhe ky status i ri i FMN-së? Natyrisht që po. Është e vërtetë se Shqipëria nuk është prekur nga kriza në atë nivel sa t’i bjerë alarmit për situatën e saj të vështirë financiare, por nga ana tjetër, Shqipëria do vazhdojë të ketë kërkesa të mëdha për financime të huaja në vitet në vazhdim. Në një periudhë afat-mesme, duket se do të jetë e vështirë zëvendësimi i zvogëlimit të së ardhurave nga remitancat në bilancin e pagesave, do të jetë e vështirë të mbulohen me burime të brendshme emergjente nevojat e rritjes ekonomike, do të jetë e vështirë të garantohen ekuilibrat makroekonomikë. Dhe në këtë kuadër, çdo hap që na garantonte kredi të reja së bashku me kushtin e ruajtjes së disiplinës së nevojshme financiare të cilën kemi tendencë ta anashkalojmë, sidomos në periudha elektorale, do të ishte i mirëpritur. Nga ky këndvështrim, rikthimi i FMN në një rol të ri mendoj së do të ishte pozitiv.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›