E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: 28 qershori, jo një ditë betejash

 

BLEDAR HOTI

“Zgjedhjet nuk janë beteja, por duhet të konsiderohen si një ditë feste”. Ky është mesazhi i lëshuar nga ana e Presidentit Bamir Topi, në adresë të partive politike në takimin e zhvilluar me 10 drejtues të institucioneve të pavarura kushtetuese të shtetit, në fushën e sigurisë dhe rendit, ekonomisë dhe drejtësisë. Kur jemi pesë ditë përpara zgjedhjeve, kreu i shtetit mblodhi titullarët e institucioneve, atë pjesë apolitike për t’i kërkuar atyre angazhimin maksimal në zhvillimin e zgjedhjeve në një situatë të qetë dhe mbajtjen nën kontroll të situatës paszgjedhore. “Pavarësisht se kush do të jetë fituesi apo humbësi, rregulli i demokracisë kërkon që pushtetet politike të bashkëpunojnë dhe të japin një mesazh shumë të thjeshtë për qytetarin, që dita e zgjedhjeve nuk është një ditë betejash. Dita e zgjedhjeve, për një vend demokratik, për një vend evropian, një vend, i cili aspiron që të jetë shumë shpejt në BE, të jetë ditë feste, por mbi të gjitha është mjaft i rëndësishëm administrimi i situatës edhe në periudhën pas zgjedhjeve”, deklaroi Topi. Presidenti theksoi se “zgjedhjet e datës 28 qershor, sikurse e thashë, janë një etapë e rëndësishme e një testi të demokracisë, ne dëshirojmë që të japim një mesazh në radhë të parë për shoqërinë shqiptare, së dyti për partnerët ndërkombëtarë, që çdo ditë e më shumë ne të konsolidojmë institucionet e Shqipërisë, institucionet e pavarura, të cilat dinë të bashkëpunojnë shumë mirë me pushtetin politik”, theksoi kreu i shtetit.
Evropa dhe vizat
Si vendi më i ri i NATO-s, presidenti theksoi se duhet bërë ç’është e mundur për të arritur standardet e kërkuara. “Të mos shpresojmë që këto do të jenë zgjedhjet më të mira. Ju siguroj që zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të mira se këto zgjedhje që ne bëjmë. Pra, kjo është rruga e konsolidimit të demokracisë së brishtë shqiptare. Kemi kaluar situata të ndryshme në retrospektivë me zgjedhjet. Do të japim testin e demokracisë. Dhe e dyta, që ka të bëjë me një shërbim të thjeshtë, shumë utilitar për çdo qytetar të Shqipërisë, këto zgjedhje realisht do të kushtëzojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Pavarësisht nga debatet, pavarësisht nga premtimet, një gjë është shumë e rëndësishme, të kuptohet dhe të kuptosh një mesazh të thjeshtë qytetar: Evropa vështron me shumë kujdes”, tha Topi. Ai shtoi se “nëse këto zgjedhje do të shkojnë ashtu siç ne presim, ju siguroj që gjithçka do të shkojë në mënyrë shumë natyrale drejt procesit të liberalizimit të vizave. Dhe këtë s’ka nevojë ta premtojnë partitë, ne duhet ta premtojmë të gjithë, jemi të interesuar nga Presidenti i Republikës te të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të rëndësishme”. Sipas kreut të shtetit, pavarësisht episodeve, situata zgjedhore ka kaluar e qetë në përgjithësi. “Të gjithë duhet të sintetizohen në një pikë, që zgjedhjet në datën 28 qershor, të rrisin ndjeshëm seriozitetin e shtetit shqiptar. Unë nuk dëshiroj të paragjykoj nëse do të ketë episode kontestuese gjithmonë mbi bazën e ligjit, tek Kolegji Zgjedhor, te Prokuroria apo te Gjykata. Dëshiroj që gjithçka të shkojë në mënyrë perfekte, por gjithsesi, meqenëse mundësinë e kontestimit e parashikon Kushtetuta, e parashikon ligji, juve duhet të jeni të vëmendshëm të ushtroni përgjegjësitë tuaja me shumë profesionalizëm, me shumë motivacion, dhe me shumë dashuri”, tha Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›