E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis zhvarrimi i eshtrave të burgosurve të Ballshit

30/04/2010 I pranishëm Alibeaj dhe Miraka

FIER- Nisi dje operacioni për zhvarrimin e kufomave të ish-të përndjekurve politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin në burgun 309 në Ballsh. Ishte një urdhër i Kryeministrit Berisha ai që ngriti një Taskë-Forcë, e cila po merret me këtë procedurë. Për të startuar këtë proces merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Arkivave dhe Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit, përfaqësues nga instituti i mjekësisë ligjore, ekspertë të Kriminalistikës dhe të policisë së Fierit etj. Dokumentet zyrtarë të arkivës së shtetit tregojnë për rreth 80 emra, të cilët mbeten ende enigmë dhe kërkohen nga familjarët, ndërsa në këtë vend-varrezë, sipas autoriteteve përkatëse mësohet se mund të jenë rreth 60 ish të burgosur. Sipas të pranishmëve, të cilët po merren nga afër me këtë çështje mësohet se rreth 30 persona mund të jenë zhvarrosur nga familjarë dhe të afërm që kanë qenë në kërkim të këtij vendi, i cili përpara pak kohësh nuk ka qenë i njohur si i tillë. Burime nga deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj dhe Simon Miraka, drejtori i institutit të ish-të përndjekurve politikë, flasin për një varrezë për të cilën posedohet edhe skica përkatëse me të gjithë numrat përkatës të të ish-të burgosurve. Fare pranë varrezës publike, rreth 5 m është një sipërfaqe prej 20 m në të cilën janë të vendosura eshtrat e secilit prej të varrosurve aty. Eshtrat e të parit që u nxorën ishin ato të shtetasit Mustafa Koroci, nga fshati Kuç i rrethit të Vlorës. Sipas listës që posedonin ekspertët, ky shtetas kishte lindur në vitin 1919 dhe kishte vdekur në 1970. Enkelejd Alibeaj është shprehur se: Ka qenë një shtysë personale imja të bëja kërkime në këtë zonë. Familjarë të mi janë ata që tashmë ndodhen nën tokë, por që ende nuk janë gjetur. Një gjë e tillë ka bërë që ky të jetë ndoshta edhe një lloj amaneti për njerëz të shtresës që unë përfaqësoj, për të gjetur thjesht dhe vetëm eshtrat, ndoshta kujtimin e fundit të njerëzve më të dashur. Kjo varrezë nuk dihej më parë”. Ndërkohë pyetjes nëse të varrosurit janë të vrarë apo të vdekur natyralist Alibeja ëhstë shprehur: E rëndësishme është që kanë qenë të dënuar politikë, padrejtësisht nga ai regjim, dhe akoma më e rëndësishme për të gjithë shoqërinë është që këta njerëz fundin e tyre e kanë pasur në atë tokë. Ndërsa Simon Miraka është shprehur se: “Sot kemi ardhur këtu në Panahor dhe po bëhen gërmimet sipas të gjitha rregullave. Shpresojmë që me gjetjen e disa eshtrave t’u japim kënaqësinë familjarëve që në moment të caktuara të kenë një varr. Dikur slogan ka qenë ‘Njeriu kapitali më i çmueshëm’, por de fakto njeriu nuk kishte asnjë vlerë sepse po shohim mënyrën se si janë varrosur këta njerëz, të cilët mendonin për një Shqipëri më të mirë, dhe kjo ka qenë arsyeja e ngujimit të tyre nëpër burgje, kampe internimi dhe janë ekzekutuar me gjyq e pa gjyq”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›