E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke do të prekë kreditë në Shqipëri

30/04/2010 Ish-guvernatorit Shkëlqim Cani shpjegon efektet që do të ketë sistemi shqiptar

Do të bien prurjet e emigrantëve, do të pakësohen investimet dhe do ulet euro

Kriza greke do të ndikojë drejt për drejt në kreditë në Shqipëri. Sipas ish-guvernatorit Shkëlqim Cani, përderisa bankat greke që operojnë në vend do të drejtojnë kapitalin e tyre drejt shtetit mëmë, nuk mund të plotësojnë kërkesën për kredi të tregut shqiptar. "I gjithë sistemi bankar në Shqipëri është i sigurt, pra shqiptarëve nuk u vihen në dyshim depozitat e tyre, kështu që ky aspekt është i sigurt. Ndërsa lidhur me bankat greke pastaj, në tërësi në Shqipëri natyrisht që mëmat i kanë në Greqi dhe mëma e tyre do të ndikohet, kuptohet që do ketë ndikime në sistemin bankar. Bankat greke vite më parë me fonde të marra nga mëma, pra, Greqia, kanë mundur të kreditojnë biznesin apo qeverinë shqiptare. Nuk do të jetë më kjo, do të bjerë shumë, për arsye se u duhen paratë për në vendin e tyre", deklaroi dje për një televizion Shkëlqim Cani, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë. Por nuk lidhen vetëm me sistemin bankar pasojat e krizës greke në ekonominë shqiptare. "Emigrantët tanë do të kenë vështirësi. Më e pakta do të dalin nga puna, kështu që ata do sjellin më pak para në Shqipëri, do blejnë më pak. Por mund të kenë dhe probleme dhe në Greqi se mund të kenë bizneset e tyre ata. Vetë Greqia në radhë të parë nuk është më konkurrente dhe do të ketë vështirësitë e veta, natyrisht biznesi shqiptar duhet të orientohet për në vende të tjera për të importuar", vijon ai. Kjo shoqërohet gjithashtu, sipas Canit, me shtyrjen në kohë të projekteve helene në Shqipëri dhe në kursin e këmbimit të euros, e cila tashmë është dobësuar. Vetëm pak ditë më parë katër nga bankat më të mëdha të Greqisë kanë kërkuar ndihmën e qeverisë, duke shkaktuar frikë mes investitorëve dhe duke e zhytur vendin më thellë në krizë. Këto banka kanë kërkuar fonde emergjence prej miliarda dollarësh thjesht si një masë parandaluese. Ndërkohë vetë bankat kanë njoftuar se kishin humbur një numër të madh klientësh në dy muajt e fundit. Sipas këtyre të dhënave, rezulton se këto banka i kanë kërkuar shtetit një ndihmë prej të paktën 15 miliardë eurosh, e cila do të jetë si garanci shtetërore, pasi vetëm gjatë këtyre muajve të fundit qytetarët grekë kanë tërhequr nga bankat e tyre dhe kanë depozituar në Qipro dhe në Luksemburg rreth 10 miliardë euro ose rreth 4.5 për qind të totalit të depozitave. Sipas ministrit të Financave, George Papaconstantinou, bankat greke kanë vendosur të përdorin fondet e mbetura nga paketa speciale e ndihmës, duke iu referuar kështu planit prej 28 miliardë eurosh, nga të cilat janë ende në dispozicion 17 milionë euro. Në vendin e gjashtë të humbjeve në bursat ndërkombëtare me rreth 10 871 miliardë euro, përfshihen të paktën tre banka greke që janë Banka Kombëtare Greke, Eurobank, Piraeus Bank, që kanë dhënë kredi për 67 miliardë euro në vendet e Ballkanit. Kjo shumë është e barabartë me 27 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të Greqisë.

Fullani

Bankat greke që operojnë në Shqipëri dhe përbëjnë 25 për qind të sistemit tonë bankar nuk rrezikohen nga kriza financiare që ka përfshirë vendin fqinjë. Guvernatori Ardian Fullani ka garantuar se këto banka janë likuide, të mirëkapitalizuara dhe të kontrolluara rreptësisht nga Banka e Shqipërisë. Por kriza që ka përfshirë Greqinë nuk po hap probleme vetëm për gjendjen e bankave, por do të ndikojë edhe në procesin e emetimit të eurobondit të parë shqiptarë.

Ndihma

Marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhur me paketën e ndihmës financiare për Greqinë do të jetë gati brenda pak ditësh, tha dje eurokomisioneri Olli Rehn. I ngarkuar me çështjet monetare në BE, Rehn tha se paketa e ndihmës do ti japë mundësi Greqisë të marrë frymë dhe të marrë masa për të dalë nga kriza. Ndihma për Greqinë është e nevojshme për të mbikëqyrur stabilitetin financiar në Evropë dhe në plan global, theksoi Rehn.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›