Droga, arrestohen dy shqiptarë në Itali
Policia italiane ka arrestuar dy emigrantë shqiptarë në një aksion kundër trafikimit dhe kontrabandës së drogës, ndërsa gjykata ka vendosur dënimin e një tjetri që u ndalua gjashtë muaj më parë. Dashamir Mullalli, 35 vjeç dhe Altin Hoxha, 29 vjeç, janë arrestuar me akuzën e posedimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Pas një informacioni të marrë në rrugë operative, policia italiane ka organizuar një operacion për vënien në pranga të dy personave. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se ata u ndaluan nga policia pasi kishin blerë një sasi narkotike nga shpërndarësit e drogës, duke pretenduar se po e mbanin lëndën narkotike për përdorim personal. Policia tha se sasia e drogës që u është kapur shqiptarëve ishte më e lartë sesa ajo e lejuar për përdorim vetjak. Kjo i ka detyruar policët t’i vënë nën akuzë për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe t’i dërgojnë në qeli dy shqiptarët.
Ndërkohë, një gjykatë në Itali ka dhënë dënimin për emigrantin shqiptar, Odeal Hoxha, një boksier amator i cili është kapur me lëndë narkotike vitin që shkoi në nëntor 2009.
Sipas gjykatës italiane, shqiptari është dënuar me tetë muaj burgim dhe 6 mijë euro gjobë, pasi vitin që shkoi është kapur me 7 gramë kokainë, e cila shitej së paku me 60 euro për çdo gram.
#