Nishani: Duhet të fitojmë betejën për drejtësi vitale
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani mbajti një ligjëratë në një Universitet në Prishtinë, në prani të shumë përfaqësuesve nga bota akademike, të shoqërisë civile kosovarë, intelektualë, pedagogë dhe studentë. Në fjalën e tij, kreu i shtetit shqiptar tha se shqiptarët kanë luftuar pareshtur për gjuhën dhe arsimin e tyre dhe sipas tij s`ka asnjë vend binjak me shqiptarët për sa u përket sakrificave.
Vizita në Kosovë
Një vend të rëndësishëm në fjalën e kreut të shtetit shqiptar zuri reforma në drejtësi, të cilën e cilësoi si një nga betejat më vitale që duhet të fitohet me çdo kusht. Beteja për drejtësi më vitale që duhet ta fitojmë me çdo kusht, institucionet e Drejtësisë sa më shumë të mbetet të pavarura aq më shumë objektive do jenë- theksoi në fjalën e tij presidenti shqiptar. Ai vlerësoi përpjekjet e rilindasve shqiptarë në ringjallen e shtetit shqiptar në 100 vjet, ndërsa shprehu nevojën për formimin e arsimit me standarde evropiane, i cili i shërben dijes, rritjes së standardit të jetesës dhe mirëqenies, nëpërmjet modernizimit, dixhitalizimit dhe kërkimit shkencor. Jetojmë në kohë globale dhe është e domosdoshme të kapim kohën globale të dijes, të formojnë arsimin me standarde evropiane. Për të qenë kompetitivë në botën e dijes ju jeni më të vetëdijshëm për sfidat që dija dhe shkenca duhet të përballojë për të përgatitur mësues që ta bëjnë Kosovën, Shqipërinë dhe mbarë shqiptarët konkurrues anembanë botës-vijoi presidenti Nishani i cili shtoi se niveli i zhvillimit shkencor përcakton zhvillimin e një vendi.
Bashkëpunimi mes dy vendeve
Duke iu referuar bashkëpunimit mes dy vendeve Nishani tha se infrastruktura moderne që kemi ndërtuar lehtëson lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe të bashkëpunimit intensiv në të gjitha fushat. Për këtë ai iu referua Rrugës së Kombit në sajë të së cilës është rritur 11 herë qarkullimi i njerëzve dhe 5 herë qarkullimi i mallrave, duke krijuar unifikim të tregut. Ka ende shumë vend për rritjen, zgjerimin dhe intensifikim e shkëmbimeve tregtare, krijimin e tregut energjetik, unifikim i teksteve shkollore. Shkëmbi tregtar 140 milionë euro në vit është ende i ulët- vijoi ai. Një vend të rëndësishëm gjatë ligjëratës së kreut të shtetit zuri edhe procesi integrues rajonal, ku sipas tij shqiptarët duhet të shohin nga e ardhmja dhe do jenë të bashkuar një ditë në BE. Pa harruar të shkuarën, duke falur ne shohim drejt të ardhmes duke respektuar e mos harruar dhimbjet e të shkuarës dhe rruga e vetme pa alternativë janë fqinjët me të cilët na ndan e shkuara, po na bashkon e ardhmja. Dialogu mbete arma më e fuqishme për të luftuar për të ardhmen tonë. Kosova e pavarur është realitet i pakthyeshëm, e cila është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan-nënvizoi Nishani, i cili tha se çështja e statusit është e mbyllur dhe se Shqipëria mbështet tërësinë territoriale të Kosovës, ndërsa çdo tentativë për hapjen e tyre kthen kohën mbrapa dhe cenon të ardhmen. Sipas tij vendimi i GND hapi kapitullin e shtetit të Kosovës sovrane dhe të pavarur. Gjithashtu Nishani u shpreh se Shqipëria ka një politikë të jashtme të balancuar në shërbim të paqes dhe stabiliteti në rajon.
Nishani takime me VV, AAK dhe
përfaqësues të Luginës së Preshevës
Në vijim të axhendës zyrtare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi ditën e djeshme takime të veçanta pune me Zëvendëskryetarin e AAK-së, Blerim Shala si dhe me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.
Nishani: Jasharajt, frymëzim për të ecur përpara
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Republikën e Kosovës, ka vizituar sot Kompleksin memorial “Adem Jashari” si dhe kullën e kësaj familjeje, ku është pritur nga i zoti i kësaj kulle, Rifat Jashari. Presidenti Nishani ka çmuar lart sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të të gjithë familjes, duke thënë se është koha që sakrificat e bëra për liri nga Jasharajt dhe të gjithë të tjerët, janë kthyer në një realitet, i cili, sipas tij, na motivon për të ecur përpara.