Përplasja me LSI-në, Berisha tërhiqet nga referendumi
Frika për një krisje në koalicion me LSI-në, por dhe koha e pamjaftueshme në dispozicion e kanë detyruar Partinë Demokratike të tërhiqet nga ideja për të shkuar në referendum për çështjen e imunitetin.
Prapaskenat
Por ky vendim i Partisë Demokratike ka ardhur edhe si pasojë e presionit të aleatit të saj më afërt, LSI-së, e cila doli prerë kundër referendumit. Tre ditë më parë Edmond Haxhinasto i LSI-së e ka cilësuar si të pavend nismën që të shkohet në zgjedhje për një çështje që mund të gjendet gjuha e përbashkët në sallën e legjislativit. LSI nuk është për referendum, por për konsensus mes palëve, pati deklaruar Haxhinasto. Pra në ndryshim nga qëndrimi i mazhorancës, Haxhinasto duke iu referuar debatit për heqjen e imunitetit vlerësoi se LSI do të mbështesë heqjen e imunitetit brenda Parlamentit.
Vendimi
Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur dje nën drejtimin e kryetares Jozefina Topalli, miratoi me konsensus paketën e propozimeve të Partisë Socialiste për ndërhyrje në Kushtetutë përtej kufizimit të imunitetit që i hap rrugën ndryshimeve Kushtetuese. Konferenca vendosi që Këshilli i Legjislacionit të shqyrtojë më 6 shtator nismën e opozitës. Konferenca e Kryetarëve, po ashtu programin e punës së Kuvendit për periudhën 2 shtator-31 tetor 2012, si dhe kalendarin trejavor të punimeve për periudhën 3 shtator-21 shtator 2012. Konferenca miratoi dhe mbajtjen e seancës plenare në çelje të sesionit të ri parlamentar, ditën e hënë (3 shtator), ora 11:00, ku një ndër pikat më të rëndësishme do të jetë votimi i pr/ligjit për “Për Gjykatën e Lartë”, pjesë e 12 rekomandimeve të BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat.
PS vë kushte
Partia Socialiste përsëriti dje se nuk do të votojë imunitetin jashtë paketës së propozimeve të tjera për ndryshime kushtetuese. Edhe për çështjen e imunitetit opozita nuk ka pasur asnjë dilemë. Vota jonë është padiskutim PRO! Për opozitën ky është problem i mbyllur politikisht. E përsëris që mbetet thjesht të votohet sapo të mbyllet procesi për debatin kushtetues lidhur me nismën tonë kushtetuese për të votuar një dhe vetëm një projektligj për ndryshimet kushtetuese, tha sot në një deklaratë për mediat, deputeti Fatmir Xhafaj. Ndaj, vijoi Xhafaj, – kush dëshiron që ti japë fund kësaj praktike të shëmtuar kësaj praktike të shitblerjes së gjyqtarëve, kësaj praktike që zgjedh për gjyqtarë individ të paaftë, të korruptuar dhe thjesht e vetëm besnik të klaneve politike të pushtetit le të votoj amendamentin tonë kushtetues. Sipas deputetit Xhafaj paketa e PS është me amendamente që nuk kanë të bëjnë me makijazhin e sistemit, por me thelbin e tij. Ndërkaq, Xhafaj u shpreh se nëse problemi qëndron vërtet tek statusi dhe jo te fajësimi i opozitës, atëherë, vijoi ai – le ti përgjigjen kërkesave të BE që në 12 prioritetet e përcaktuara dhe në disa deklarata publike të saj i ka kërkuar qeverisë qartazi rezultate konkrete në disa fusha jetike. Vota ndaj amendamenteve tona është votë për shtetin e së drejtës, është për votë për barazinë reale para ligjit, është votë për ti dhënë vendit gjyqtarë me integritet që ju mundësojnë qytetarëve të këtij vendit drejtësinë e kërkuar dhe jo gjyqtarë e prokurorë që drejtësinë për qytetarin e këmbejnë me shërbimin ndaj pushtetarit, ndaj më të fortit dhe atyre që paguajnë më shumë, përfundon deklaratën Fatmir Xhafaj.
PD akuzon opozitën
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka në kundërpërgjigje të deklaratave të Partisë Socialiste u shpreh se heqja e imuniteteve nuk bëhet për kredibilitet politik të mazhorancës, por se është një çështje me rëndësi për Partinë Demokratike dhe vetë shqiptarët. Bllokimi i marrjes së statusit të vendit kandidat nga Edi Rama është mesazhi më i keq për shqiptarët dhe jo vetëm. Për mua si relator i kësaj çështje 6 gushti regjistroi turpin e opozitës mbasi u pranuan të gjitha propozimet e Partisë Socialiste, pa më të voglin turp Rama urdhëroi bllokimin e draftit dhe bllokimin e heqjes së imunitetit, duke bllokuar edhe marrjen e statusit, u shpreh Paloka. Në vijim ai tha se ky bllokim bëhet për të bllokuar statusin e vendit kandidat nga Edi Rama, ndonëse heqja e imunitetit është me rëndësi kapitale për vendin. Sipas tij, Edvini i kthen shqiptarët drejt një përgjigje sovjetike, por shtoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur as me Edvinin dhe as me bllokatorët dhe as me metodën e sundimit të pakicës mbi shumicën.