“Edi Rama zbret nga podiumi, Bamir Topi hipën si zëdhënës i PS”
PD vendos paralele midis qëndrimeve të FRD-së dhe PS, për emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm
Kryeprokurori i ri, PS do të abstenojë dekretin e Presidentit, PBDNJ votë pro
Partia Demokratike ka vendosur paralele dje, midis qëndrimit të Bamir Topit, kreut të FRD-së dhe Edi Ramës, kreut të PS-së. Duke ju referuar qëndrimeve për emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm, nëpërmjet deputetit Gerti Bogdani, PD-ja bëri të ditur se jo vetëm kaq, por Bamir Topi është shndërruar në një zëdhënës të PS-së.
“Qytetarët shqiptarë patën sot (dje) mundësi të konstatojnë se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk flet me ta vetëm nga oborri apo podiumet e selisë rozë, por edhe se ai e ka shtuar numrin e zëdhënësve. Deputeti socialist, Taulant Balla, nuk bëri gjë tjetër sot (dje) veçse përsëriti fjalë për fjalë atë që një ditë më parë kishte deklaruar Bamir Topi, lidhur me qëndrimin e Partisë Socialiste për dekretin e Presidentit të Republikës për Prokurorin e Përgjithshëm. Njësoj si Topi dje, edhe Balla sot, tha se për ta problemi ishte procedura antikushtetuese e emërimit dhe jo cilësitë e kandidatit, që do të zëvendësojë Ina Ramën në krye të institucionit të akuzës”, u shpreh Gerti Bogdani, duke rreshtuar Topin, në radhën e zëdhënësve të PS-së.
“Natyrisht, që ne, as nuk impresionohemi, dhe, as nuk na takon që të komentojmë qëndrimet e Partisë Socialiste, e cila ka sovranitetin e saj për çdo vendim politik, që ndërmerr. E vetmja gjë që vlen për të evidentuar pas kësaj është se, me sa duket, tani Edi Rama nuk ka në dispozicion vetëm deputetët dhe drejtuesit e partisë së tij për të shprehur pozicionin e vet politik, sepse sot për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm ai përdori dy zëdhënës, Bamir Topin dhe Taulant Ballën, të cilët thanë absolutisht të njëjtën gjë, në vetëm një ditë diferencë”, përfundoi deklaratën në emër të PD-së, deputeti i kësaj force politike, Gerti Bogdani.
PS do të abstenojë dekretin e Presidentit, PBDNJ votë pro
E majta parlamentare shfaqet e ndarë në qëndrimin që do të mbajë në Kuvend ndaj dekretit të Presidentit për Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Kështu, nëse nga ana e saj Partia Socialiste do të abstenojë dekretimin e Adriatik Llallës për postin e kryeprokurorit të ri. Ndërkohë që PBDNJ-ja ka deklaruar votën e saj por.
Më konkretisht, në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura, grupi parlamentar socialist vendosi që të abstenojë dekretin e Presidentit Nishani.
Partia Socialiste e konsideron si antikushtetues dekretin e Presidentit të Republikës për ndërprerjen e mandatit të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, por nuk paragjykon kandidaturën e propozuar për zëvendësimin e saj në këtë detyrë.
Qëndrimi i socialistëve është bërë publik nga deputeti Taulant Balla, gjatë një deklarimi për shtyp, dhënë menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka deklaruar sot votën e tij pro kandidaturës së Adriatik Llallës për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
I kontaktuar nga mediat, Vangjel Dule tha se e mbështeste kandidaturën e propozuar nga Presidenti i Republikës. Sipas Dules, më i rëndësishëm se debatet për afatet kohore është emri konkret që do të drejtojë organin e akuzës.