“Edi Rama po e kthen FRESSH-n në ‘harem’ për veten dhe miqtë e tij”
Denoncojnë publikisht kryetarja dhe kryesia e FRESSH, dega Greqi
“Kryetari i PS-së Edi Rama ka kërkuar vazhdimisht ta kthej FRESSH-n në një ‘harem’ për veten dhe miqtë e tij”. Akuza publike vjen nga Greqia, ku nëpërmjet një letre të hapur Borina Voko e FRESSH, dega Greqi, si edhe kryesia e kësaj dege, denoncojnë sjelljet më të fundit të kryetarit ët PS-së Edi Rama dhe ato të sekretari të Rinisë dhe Emigracionit, Erion Veliaj.
Duke ju drejtuar publikisht kryetarit të PS-së, Edi Rama, kryetarit të Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçit, Kryesisë së PS-së, Kryetares së FRESSH-it Elisa Spiropalit dhe Kryetares së Forumit të Gruas Olta Xhacka. Kryetarja dhe kryesia e degës së FRESSH-it në Greqi, bëjnë të ditur se “dje (pardje) më datë 3/11/2012 Sekretari i Rinisë dhe Emigracionit Erion Veliaj ka dërguar në e-mailin e FRESSH Dega Greqi shkarkimin e Kryetares së FRESSH Dega Greqi Borina Voko. Pikë së pari, aty përmendet se janë bërë një sërë shkeljesh disiplinore nga ana e kryetares Borina Voko, gjë që jo vetëm nuk është e vërtetë, por e kundërta, janë raportur pikërisht nga ana e FRESSH Dega Greqi në Sekretariatin e Rinisë dhe Emigracionit një sërë shkeljesh disiplinore dhe morale nga ana e Kryetarit te Partisë Socialiste Dega Greqi Artjan (Artur) Qirici. Së dyti, akuza për mosbindje të vazhdueshme ndaj kërkesave të kryetarit nuk qëndron aspak, pasi ai asnjëherë nuk është interesuar për mbarvajtjen e punëve në FRESSH, përkundrazi e ka sabotuar atë dhe ka kërkuar vazhdimisht ta kthej Forumin Rinor në një ‘harem’ për veten dhe miqt e tij”, vijon denoncimi publik.
Më tej në letrën publike, kryetarja dhe kryesia e degës së FRESSH-it në Greqi, bëjnë të ditur se përgjegjësi për gjendje duhet të mbajë Erion Veliaj dhe kryetari i PS-së, dega Greqi Artjan (Artur) Qirici, ndaj të cilëve akuzuesit pretendojnë se kanë prova implikimi, duke i sfiduar njëkohësisht edhe për një ballafaqim publik. “Ne, nuk kemi kapërcyer asnjë kompetencë tonën, por kemi diskutuar vazhdimisht me Sekretariatin e Rinisë dhe Emigracionit për të gjitha shkeljet dhe problemet e shfaqura që nga krijimi i FRESSH Dega Greqi si Strukturë e Partisë Socialiste ne Greqi. Përgjigja e tyre ka qenë mospërfillja, heshtja dhe kohët e fundit ‘Gjeni zgjidhje vet!”. Dhe për sa i përket qëndrimit bllokues dhe përçarjes, në bankën e të akuzuarve duhet të uleni ju z. Veliaj dhe miku juaj A. Qirici, që mbas kaq e kaq raportimesh nga ana jonë, nuk denjuat kurrë të merrnit mundimin për të zgjidhur problemet edhe pse ne ju jemi lutur zyrtarisht.
Për të gjitha këto shpifje dhe akuza, nga ana juaj dhe mikut tuaj, Veliaj ne posedojmë prova materiale dhe dëshmitarë që vërtetojnë të kundërtën e atyre që thoni. Ne si kryesi, jemi gati të ballafaqohemi me ty Veliaj dhe mikun tuaj A. Qirici, publikisht (në kuptimin e mirëfilltë) pasi besojmë që Sekretariati i Emigracionit, si institucion, nuk është në dijeni të padrejtësive dhe fëlliqësirave të kryera mbi kurrizin tonë”, përfundon letra e mbërritur nga Greqia dhe e nënshkruar nga kryetarja e FRESSH, dega Greqi, Borina Voko dhe kryesia e kësaj dege.