Haxhim Thaçi: Veriu i Kosovës, sfidë për gjithë rajonin, normalizimi i situatës i jep fund konflikteve 20 vjeçare në Ballkan

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një shkrim për “The Wall Street Journal”, ka theksuar se me zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës dhe me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do t’u jepej fund ndarjeve dhe konflikteve të hidhura më se 20 vjeçare. Sipas tij është e rëndësishme që edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, të jetë pjesë e përpjekjeve për t’iu dhënë njerëzve në Ballkan një mundësi për të shikuar përpara. Shefi i qeverisë së Kosovës ka theksuar se me aksionet e fundit për të mbyllur kufijtë e Kosovës në Veri, që i parapriu fazës së ardhshme të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë, ai beson se është arritur në një moment vendimtar në historinë e Ballkanit Perëndimor. “Kjo krijon një mundësi për tërë rajonin për të përmbyllur përfundimisht këtë kapitull të dhunshëm dhe turbullues në historinë tonë. Kur ne vepruam muajin e kaluar si përpjekje për të ndalur krimin e shfrenuar dhe për të vendosur sundimin e ligjit në veri të Kosovës në kufi me Serbinë,një zonë kryesisht e përbërë prej banorëve të përkatësisë etnike serbe, shumë njerëz panë një ngërç tjetër në Ballkan, një çështje e brendshme e cila sërish i vuri serbët përballë kosovarëve. Serbia ka të drejtën për të mbështetur qytetarët e përkatësisë etnike serbe në Kosovë rreth aktiviteteve kulturore dhe të tjera”- shkruan kryeministri Thaçi. Sipas tij, duke marrë parasysh që të gjitha vendet e Ballkanit e shohin të ardhmen e tyre si një të ardhme evropiane, këto zhvillime pozitive kanë krijuar një mundësi unike të cilën duhet ta shfrytëzojmë së bashku. Bisedimet të cilat nisin këtë të premte në Bruksel janë një shans për të përshpejtuar drejt një qëllimi të përbashkët. “Çelësi kryesor për t’i realizuar ambiciet e Serbisë drejt BE-së, siç ka theksuar javën e kaluar kancelaria gjermane Angela Merkel, qëndron në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pjesë kyçe e këtij normalizimi, siç ka theksuar zonja Merkel, është ndërprerja e financimit jo-transparent të Serbisë për “strukturat të saja paralele” në veri me të cilat po thellohen ndarjet. Javën e kaluar, u bëra thirrje të gjithë serbëve kosovarë të integrohen tërësisht në krijimin e një Kosove shumë-etnike të bazuar në kushtetutën tonë. Po e përsëris këtë thirrje sot. Përparimi për të vendosur rendin dhe ligjin dhe një jetë normale në veri të Kosovës vetëm sa ka filluar. Ka shumë punë për të bërë dhe është jetike që Bashkësia Ndërkombëtare merr pjesë tërësisht në përmbushjen e këtij procesi”- vijon ai. Kreu i qeverisë kosovare ka deklaruar gjithashtu se me zgjidhjen e problemeve në veri të Kosovës dhe me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do t’u jepej fund ndarjeve dhe konflikteve të hidhura më se 20 vjeçare.
...