Nishani: Lëvizja pa viza në BE, vetëm me pasaporta biometrike

“Në një moment të afërt, kur Shqipëria do ta përshkojë vendimin e BE që qytetarët e saj të lëvizin jashtë Shqipërisë pa viza, natyrisht hyrja do të jetë vetëm për ata qytetarë, të cilët e disponojnë një pasaportë biometrike. Qytetarët që nuk do ta disponojnë pasaportën biometrike, nuk do të lëvizin dot pa viza”. Në një intervistë televizive, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, theksoi dje se shtetasit shqiptarë që nuk do të disponojnë një pasaportë biometrike, nuk do të mund të përfitojnë nga liberalizimi i vizave dhe, për pasojë, nuk do të mund të qarkullojnë pa to në vendet e Bashkimit Evropian.
Pasaportat kushti i vetëm për liberalizimin e lëvizjes së lirë
Pajisja me pasaportat biometrike me të gjitha elementet e lartë të sigurisë, përbën një kusht themelor për liberalizimin e vizave, për të gjithë shtetasit shqiptarë.
Gjithashtu, Nishani ka theksuar se procesi për pajisjen me pasaporta do të zgjasë deri në fund të vitit 2009, nëse do të ecet me të njëjtin ritëm si me atë të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit. Ai ka shprehur bindjen se në momentin kur një qytetar do të paraqesë një pasaportë biometrike, do të ketë një përfaqësim shumë më dinjitoz nga policitë kufitare të çdo vendi evropian.
Ndër të tjera, ministri i Brendshëm shqiptar ka vënë në dukje se pasaporta aktuale tashmë është e njohur nga të gjitha shtetet, është e njohur nga të gjitha ambasadat, është e integruar në të gjitha sistemet e kontrollit, në të gjitha pikat e kalimit kufitar në të gjithë Evropën. “Në një moment të afërt, kur Shqipëria do ta përshkojë vendimin e BE që qytetarët e saj të lëvizin jashtë Shqipërisë pa viza, natyrisht hyrja do të jetë vetëm për ata qytetarë, të cilët disponojnë një pasaportë biometrike. Qytetarët që nuk do ta disponojnë pasaportën biometrike, nuk do të lëvizin dot pa vizë. Pasaporta aktuale tashmë është e njohur nga të gjitha shtetet, është e njohur nga të gjitha ambasadat, është e integruar në të gjitha sistemet e kontrollit, në të gjitha pikat e kalimit kufitar në të gjithë Evropën. Dhe besoj dhe jam i sigurt se në momentin kur një qytetar do të paraqesë një pasaportë biometrike do të jetë një përfaqësim shumë më dinjitoz nga policitë kufitare të çdo vendi evropian”, ka vënë në dukje Nishani.
Pajisja me pasaportën biometrike bëhet në të njëjtën procedurë dhe në të njëjtën zyrë aplikimi me kartat e identitetit. Ministria e Brendshme garanton kapacitete të plota për aplikim, duke i kërkuar të gjithë qytetarëve t’i drejtohen zyrave përkatëse për t’u pajisur me këto dokumente të standardeve të larta.
Nëse të gjithë shtetasit shqiptarë do të tregoheshin të vullnetshëm për ta përmbushur këtë standard, brenda një viti shqiptarët do të kenë mundësinë të udhëtojnë lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë edhe burime nga firma franceze “Sagem”, deklarojnë se janë kapacitetet për të prodhuar 20 deri në 30 mijë pasaporta në ditë.
Vizat e pasaportave të vjetra do të njihen edhe në ato biometrike
“Nëse një qytetar ka një vizë me afate të gjata në pasaportën aktuale, në momentin që ai pajiset me pasaportën biometrike konsullata e ambasadës përkatëse që ka lëshuar vizën është e gatshme ta transferojë vizën nga pasaporta e vjetër në pasaportën biometrike. Kjo është një lehtësi e madhe, në mënyrë që çdo qytetar që ka një vizë valide, të vlefshme te pasaporta aktuale të mos e humbë të drejtën e asaj vize”.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, bëri të ditur dje një marrëveshje të orëve të fundit me të gjithë trupin diplomatik për njohjen e vizave afatgjata që shtetasit shqiptarë i disponojnë në pasaportën aktuale.
“Së bashku me Ministrinë e Jashtme kemi hedhur një hap tjetër të rëndësishëm, siç është për shembull transferimi i vizës nga pasaporta e vjetër në pasaportën biometrike. Kjo do të thotë që nëse një qytetar ka një vizë me afate të gjata në pasaportën aktuale, në momentin që ai pajiset me pasaportën biometrike konsullata e ambasadës përkatëse që ka lëshuar vizën është e gatshme ta transferojë vizën nga pasaporta e vjetër në pasaportën biometrike. Kjo është një lehtësi e madhe, në mënyrë që çdo qytetar që ka një vizë valide, të vlefshme tek pasaporta aktuale të mos e humbë të drejtën e asaj vize”, është shprehur Nishani.
Pasaporta e re biometrike e prodhuar nga firma franceze “Sagem”, është një dokument me të gjitha parametrat e lartë të sigurisë. Për t’u pajisur me një pasaportë të tillë, Nishani thotë se duhet ndjekur e njëjta procedurë si ajo e pajisjes me kartat e identitetit, ndërsa çmimi real i një pasaporte të re është 6 mijë lekë të reja.
“Pa dyshim që është i rëndësishëm vullneti i qytetarëve, por për sa kohë është i lidhur drejtpërdrejtë me interesa direkt të qytetarëve shqiptarë, siç është pajisja me një dokument dinjitoz, trajtimi dinjitoz dhe përfitimi i atyre që kanë pasaportën biometrike i lëvizjes pa viza jashtë Shqipërisë besoj se përputhen me interesin, të cilat janë një domosdoshmëri për ta realizuar këtë proces”, vijoi më tej Nishani.
...