E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE: S’është zhdoganuar naftë jashtë standardit

 

Nafta që shitet në treg i është nënshtruar çdo procedure ligjore. Ministria e Energjetikës ka reaguar në lidhje me futjen e një sasie naftë nga ana e kompanisë “Taçi Oil” përmes doganës së Vlorës. Sipas një deklarate për mediat të Ministrisë së Energjetikës “Asnjë anije apo vapor me ngarkesë nafte nuk ka hyrë në Shqipëri, pa iu nënshtruar më parë procedurave standarde të bazuara në ligjet e shtetit shqiptar, për kontrollin e sasisë dhe cilësisë. Si për rastin e anijes në fjalë, ashtu dhe për të gjithë rastet e tjerë, të gjithë palët e interesuara mund t’u drejtohen institucioneve përgjegjës për kontrollin e cilësisë dhe të sasisë së karburanteve që hyjnë në Shqipëri, dhe që merren me përputhshmërinë e veprimtarisë së këtyre kompanive me ligjet shqiptarë”. Sipas ministrisë, vapori ndodhet ende në det, nën kontrollin e doganës, dhe Inspektorati Qendror Teknik nuk i ka kryer ende analizat e naftës. Vetëm ky Inspektorat, pasi merr një kërkesë zyrtare nga ana e Doganës, ka autoritetin dhe teknologjinë për të kryer këto analiza dhe për të dhënë përgjigje, dhe jo fletushkat që s’dinë të bëjnë gjë tjetër përveç shtrembërimit të së vërtetës. “Ne bëjmë me dije se, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, vetëm një javë më parë i ka dërguar një shkresë zyrtare kompanisë në fjalë, me anë të së cilës e kujton që nafta e importit, pasi të përpunohet në rafineri, do të lejohet që të tregtohet në tregun e brendshëm vetëm në qoftë se do të jetë e standardit D1” thuhet në deklaratën për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›