Rritet numri i aplikimeve për pasaporta biometrike

Ardhja e emigrantëve vazhdon që të rrisë kërkesën nëpër sportelet e Postës Shqiptare si për karta identitetit ashtu edhe për pasaportat biometrike. Sipas Postës Shqiptare deri tani në të gjithë vendin janë shitur mbi 1 milionë e 229 mijë kuponë për letërnjoftimin elektronik dhe mbi 50 mijë për pasaportat biometrike në të gjitha zyrat e postës.
Por ndryshe nga periudha parazgjedhore është rritur mjaft kërkesa për pasaportat biometrike, të cilat po të krahasohen me aplikimin për kartat e identitetit përbëjnë një ndryshim me rreth 2 mijë kuponë më shumë të shitura në ditë. Deri tani shumica e aplikantëve për këto pasaporta janë qytetarët shqiptarë të cilët kanë mbushur moshën 18 vjeç, por numri më i madh i cili ka ndikuar për rritjen e kësaj shifre është pikërisht ai që vjen nga aplikimi i emigrantëve.
Sipas Postës Shqiptare do të vazhdojnë që të gjitha zyrat e saj të qëndrojnë hapur gjatë gjithë sezonit veror, kjo edhe nga kërkesa që ka pasur dhe që po shtohet edhe në këtë periudhë.
Posta shqiptare për momentin ka 551 zyra postare dhe 470 njësi te të cilat bëhet aplikim në të gjithë vendin.
...