E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen gurorja, vdes roja

 

LEZHE / ROLAND NIKOLLI

Eksplozivi në një gurore në fshatin Balldre të Lezhës i merr jetën rojes së fabrikës së çimentos, rreth 300 metra larg. Zef Simoni, 58 vjeç humbi jetën nga goditjet e papritur të gurëve, ndërsa i plagosur rëndë mbeti kolegu i tij 55-vjeçar, Pal Gjini. Ngjarja tragjike u shënua rreth orës 19:00, kur gjëmimi i shpërthimit u pasua me viktima. Pa asnjë paralajmërim, firma e nxjerrjes së gurëve, e cila punonte për të furnizuar me lëndë inerte fabrikën, ka vendosur lëndën plasëse. Gurorja në shfrytëzim ndodhet shumë pranë fabrikës së çimentos, në Balldre, e cila është në ndërtim e sipër. Dy rojet mësohet se kanë qenë në shërbim në ato momente. Asnjë prej tyre si duket nuk ka pasur sinjal për rrezikun që u kanosej nga ky shpërthim. Dy rojet nuk kanë mundur që të reagojnë, pasi vërshimi i gurëve ishte i papritur. Plagët e marra në kokë nga Simoni i kanë shkaktuar atij humbjen e jetës menjëherë, ndërsa kolegun e tij e kanë lënë të plagosur rëndë. Sapo kanë mësuar ngjarjen, në vend kanë mbërritur forca të policisë së Lezhës, të cilat kanë bërë dhe transportimin e dy personave në spital, por për Simonin ishte tepër vonë. Ndërsa kolegu i tij është dërguar me urgjencë në spitalin ushtarak të Tiranës, për shkak të plagëve të marra në kokë dhe trup. Bashkë me përfaqësues të prokurorisë së rrethit nisën hetimet për të verifikuar çfarë kishte ndodhur. Fillimisht u dyshua për ndonjë vendosje eksplozivi në fabrikën e çimentos, e cila ka nisur ndërtimin prej disa muajsh. Por, hetimi dhe këqyrja në vendngjarje sollën përfundimin se vdekja kishte ardhur nga pakujdesia e punëtorëve të gurores. Në komisariat u shoqërua pronari i gurores, për të verifikuar mënyrën e shpërthimit dhe zbatimin e kushteve të sigurisë. Shpërthimi ndodhi rreth orës 19:00 kur punonjësit e gurores kanë vendosur një sasi të madhe eksplozivi në brendësi të malit. Mbushja e grykës në pjesën ku do të kryhej shpërthimi dyshohet se nuk është kryer ashtu siç duhet dhe gjatë plasjes ajo është hapur duke nxjerrë sasi të mëdha gurësh dhe shpërndarjen e tyre fuqishëm dhe në zonat përreth. Në momentin e shpërthimit pjesa më e madhe e punëtorëve ishin larguar dhe nuk kishte lëvizje të automjeteve, ndërsa viktima e shoku i tij ndodheshin në pjesën anësore të fabrikës. Gjatë mbrëmjes së djeshme janë kryer veprimet e para, të cilat pritet të rinisin sot, që në orët e para të ditës. Ndërkohë, nuk dihet ende nëse do të ketë të ndaluar për këtë ngjarje me viktima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›