E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incesti, 21-vjeçarja strehohet në qendër rehabilitimi

 

LEZHE - Vajzat që denoncuan babain mostër për incest do të strehohen në qendër rehabilitimi. Policia e Lezhës ka vendosur të dërgojë në një qendër të tillë fillimisht 21-vjeçaren A.D., e cila ishte përdhunuar nga i ati prej një viti. Për të kaluar traumat psikologjike dhe fizike si pasojë e abuzimit nga babai i saj, vajzës i është siguruar një vend strehimi, i cili për efekt sigurie nuk bëhet i ditur nga policia. Mësohet se e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për dy motrat e tjera të saj ku kërkohet për to një vend i sigurt për të shmangur kontaktet apo ndonjë incident të mundshëm me të afërmit e babait të tyre. Sot pritet që 64-vjeçari P.Daka nga fshati Tale i Lezhës të dalë para togave të zeza, ku do të merret edhe masa e sigurisë. Sipas policisë, gjatë marrjes në pyetje i moshuari ka ndryshuar disa herë dëshminë e tij. Ai fillimisht nuk e ka pranuar akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me të bijën 21-vjeçare. Më pas, ka pranuar gjithçka ka ndodhur në familjen e tij. Por pas kësaj, sërish ai ka mohuar deponimet e tij. Megjithë tentativën e tij për t’i shpëtuar akuzës së marrëdhënieve seksuale brenda gjinisë, prokuroria ka prova të mjaftueshme pas ekspertizës mjeko-ligjore të vajzës. Të njëjtat burime bënë të ditur se ndaj 64–vjeçarit është shtuar edhe një akuzë tjetër, ajo e nxitjes së vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, e cila dyshohet të jetë vetëvrarë, pasi kishte mësuar incestin brenda familjes. Banorët e Tales dje dënuan ashpër veprimet e Dakës dhe kërkuan që drejtësia t’i japë dënimin e merituar.                                 r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›