Nishani: Me shkarkimin e Bahri Shaqirit, lejova Berishën të kryejë detyrën
Presidenti Bujar Nishani ka folur për herë të parë për shkarkimin e kreut të SHISH, Bahri Shaqiri. Gjatë një interviste për Tv Klan, ai ka thënë se ka përmbushur kompetencat e vet, duke lejuar kështu kryeministrin Sali Berisha, të kryejë detyrën e vet.
Nishani ka lënë të kuptohet gjithashtu se kryeprokurorja Ina Rama do të shkarkohet, pasi gjatë intervistës është shprehur se prokuroria duhet të jetë në një moment shumë të madh ridimensionimi. Ai tha se prokuroria duhet të forcojë punën në lidhje me luftën ndaj korrupsionit, krimit dhe sigurisë së qytetarëve.
Duke u ndalur tek puna e KLD-së, Nishani ka thënë se duhet që tashmë të promovohen gjyqtarë të ndershëm dhe kurajozë.
Veprimet e fundit të Nishanit, si emërimi i nënkryetarit të ri të KLD-së, por mbi të gjitha shkarkimi i kreut të SHISH, Bahri Shaqiri, pa konsultime me SHBA-në, kanë shkaktuar reagime të forta.