E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Ndëshkim gjyqtarëve “të korruptuar”, promovimet mbi merita

Zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe mbushjeve të xhepave të gjyqtarëve. Ky ka qenë një nga zotimet kryesore që Presidenti i vendit, njëkohësisht dhe kryetari i KLD-së, Bujar Nishani ka dhënë në mbledhjen e parë të KLD-së pas zgjedhjes së tij si President. Në vazhdim ai shpalosi objektivat e tij për këtë institucion të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë sic e vlerësoi ai, ndërsa u angazhua për reformat në drejtësi.

“Si kryetar i KLD e shoh këtë institucion si një nga instrumentet për të analizuar sfidat me të cilat ndeshet sistemi ynë gjyqësor, për objektivat dhe standardet që duhen arritur, për të realizuar arë që kërkohet nga ne dhe opinioni publik. Kam bindjen më të thellë se themeli nga ku mund të hidhet çdo hap për ta forcuar këtë sistem, për ta bërë më transparent dhe për ta kthyer realisht në atë që qytetari ta shoh në tempull për të marrë drejtësi është pavarësia e tij. Ne kemi shumë sfida, por unë do ta nis me atë që jo shumë është trajtuar besimi dhe respekti i vetë gjyqtarëve te vetë sistemi. Së pari si Presidenti i Republikës dhe kryetar i KLD duhet të tregojnë se qëndrojnë fort pas çdo gjyqtari që përmbush drejt dhe me korrektësi detyrën e tij, duhet të garantojnë integritetin profesional dhe njerëzor të çdo gjykatësi”, tha Presidenti Nishaniu.

Presidenti dhe kreu i KLD nga ana tjetër shprehu gadishmërinë e tij dhe siguroi se do të jetë në krah të cdo gjykatësi të ndershëm, në mbrojtje të integritetit, pavarësisë dhe sigurisë profesionale gjatë kohës së ushtrimit të detyrës.

Nishani theksoi se si Presidenti dhe KLD kanë detyrim të garantojnë besimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe Apelit në sistemin e promovimit të tyre bazuar në merita dhe jo subjektivizmin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa ka premtuar dhe një nivel më të lartë pagash për ta.

Ndër të tjera Presidenti Nishani premtoi komunikim dhe bashkëpunim ndërmjet të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, ndërsa garantoi dhe njëherë se shkeljet e ligjit do bëhen publike, dhe gjyqtarët që mohojnë lirinë do denoncohen nominalisht.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›