Zgjidhet Nën.kryetari i KLD-së, Elvis Cefa zëvendëson Spahiun

Mo votim unanim, Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë mbledhjes së sotme nën drejtimin e Presidenti dhe kreut të KLD, Bujar Nishani ka zgjedhur Elvis Cefën në postin e nën.kryetarit të KLD. Cefa, është anëtari më i ri i KLD-së, i dalë nga radhët e mazhorancës dhe do të jetë tashmë numri 2 i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas shkarkimit të paraardhësit të tij Kreshnik Spahiu.
Kandidatura e tij u propozua nga Presidenti Nishani, ndërsa u pranua dhe mori mbështetjen e anëtarëve të tjerë. Ish-Presidenti Bamir Topi propozoi pas largimit të Spahiut emrin e Ilir Mustafajt, por për shkak të kundërshtimit të Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi dhe disa anëtarëve të tjerë të KLD-së, emri i tij nuk kaloi asnjëherë në votim.
Krahas kësaj KLD ka propozuar Fatri Islamin për kryetar të gjykatës së Tiranës, post të cilin do ta mbajë përkohësisht deri në zhvillimin e konkursit. Po kështu pritet edhe zëvendësimi i kryeprokurorit të Tiranës Artan Zeneli, post i ngelur bosh pasi ai u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë.