Duam ekspertizë

Pas ankesave tek ndërkombëtarët e “EURALIUS”, partitë e vogla ankohen sërish tek presidenti Bamir Topi. Shqetësimi kryesor i këtyre partive duket se janë ndryshimet në Kushtetutë, të cilat sipas tyre po bëhen në mënyrë shumë të shpejtë dhe pa ekspertizën e duhur. Në takimin e djeshëm me presidentin Topi ishin të pranishëm kreu i PAD-së, Neritan Ceka, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, përfaqësuesi i PBLD-së, Arian Starova dhe deputeti i pavarur, Spiro Peçi. Sikurse mësohet nga burime, në këtë takim ka munguar kreu i Partisë Republikane, i cili edhe pse ka qenë në të njëjtin vend, nuk është bërë pjesë e këtij takimi. Gjatë takimit jozyrtar në ambientet e “Sheraton”, përfaqësuesit e partive i kanë kërkuar presidenti Topi një debat të gjerë me të, ku të jenë të përfshirë të gjithë faktorët politikë në vend dhe ndryshimet të shoqërohen me ekspertizën e duhur. I kontaktuar nga “Korrieri”, kreu i PAD-së, Neritan Ceka, thotë se në bisedën me presidentin Topi, krerët e partive të vogla e vunë në dijeni atë “për sferën kaotike dhe joprofesionale në të cilën paraqiten ndryshimet kushtetuese”. Ai thotë se problemi kryesor që vërejnë partitë e vogla, është pikërisht kalimi i këtyre propozimeve pa bërë ekspertizën përkatëse. “Ne gjetëm një mbështetje të plotë tek zoti Topi, i cili e përkrah shqetësimin tonë për procedurat dhe për prishjen e aleancave me ndryshimet e propozuara”, thotë Ceka. Ndërkohë, edhe vetë presidenti Bamir Topi në një intervistë të disa ditëve më parë pati deklaruar edhe qëndrimin e tij kundër propozimeve, duke përdorur si arsyetim mungesën procedurave dhe përfshirjen në diskutime të të gjithë spektrit politik. Duke kundërshtuar propozimet, Ceka thotë se propozimet duhet të ndjekin disa procedura të caktuara dhe duhet t’u nënshtrohen diskutimeve të të gjithë spektrit politik. “Pra, kalon në një komision të posaçëm parlamentar, konsultohet me të tërë faktorët politikë dhe ata juridikë, dhe pastaj me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht me ata që kanë ndihmuar për ta bërë këtë Lushtetutë, ku prioritare është Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, thotë kreu i PAD-së. Ai bën të ditur se tashmë krerët e partive të vogla do t’i intensifikojnë takimet e tyre për këtë çështje edhe me strukturat ndërkombëtare në vend. Gjatë një bisede me “Korrierin”, kreu i PBLD-së, Arian Starova, konfirmon se në takimin me presidentin Topi është diskutuar për ndryshimet kushtetuese, të cilat sipas tij, po kalojnë pa ekspertizën e duhur. Ai ndodhet në të njëjtën linjë me deklaratat e kreut të PAD-së, duke pranuar se gjithashtu, që shumë shpejt ankesat e tyre do të paraqiten edhe tek ndërkombëtarët. Partitë e vogla kanë kundërshtuar menjëherë për procedurën sesi po bëhen ndryshimet kushtetuese. Krerët e partive të vogla të të dy krahëve politikë janë bashkuar, duke firmosur një letër të përbashkët, e cila u është nisur përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorit amerikan Xhon Ëidhers, ambasadorit të prezencës së OSBE-së në vend, Robert Bosch etj. Takimi i radhës së krerëve të partive të vogla pritet të jetë me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Helmut Lohan.