Berisha firmëtar

Një ndër nismëtarët e mbledhjes së firmave të deputetëve demokratë dhe të aleatëve, Sali Shehu, tregon për “Korrierin”, se mbledhja e firmave do të vazhdojë deri ditën e hënë. Ai thotë se e gjithë kjo do të zgjasë derisa të arrihet në 94 vota, në mënyrë që presidenti të zgjidhet nga populli. Deputeti demokrat, Shehu, shpreh bindjen se gjithçka është brenda mirëkuptimit të të gjithë klasës politike shqiptare, si nga krahu i djathtë, ashtu edhe nga krahu i majtë. I pyetur nëse në Partinë Demokratike ka grupe mbështetëse, ai thotë se në PD nuk ka as mbështetës të Bamir Topi dhe as mbështetës të Sali Berishës. Sipas tij, në Partinë Demokratike ka deputetë të cilët duan që presidenti i tyre të zgjidhet nga populli dhe për këtë të gjithë janë në unison.
-Cili është qëllimi i mbledhjes së këtyre firmave?
“Qëllimi i vetëm i mbledhjes së këtyre firmave është orientimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin nga populli. Ne mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë, më e përshtatshme dhe më funksionale për vendin”.
-Deri në këtë moment keni arritur të mblidhni më shumë se 40 firma nga PD-ja dhe aleatët. A do të ketë iniciativë për të mbledhur më shumë firma?
“Procesi ka nisur dhe ne do të vazhdojmë më tej. Po të shohësh me vëmendje, çështjen e presidentit e ka eklipsuar çështja e ndryshimit të formulës së Kodit Zgjedhor në Kushtetutë, dhe kjo është me gjithë mend diçka e rëndësishme. Kjo tregon se është çështja që shkakton më shumë sensibilitet në të gjithë opinionin publik dhe politik”.
-Ky reagim i juaji vjen menjëherë pas një deklarate të kryeministri Berisha, i cili tha se nuk është e mundur zgjedhja e presidentit nga populli, të paktën për momentin. Mos ka një kundërshtim këtu?
“Nuk ka asnjë kundërshti. Kryeministrin e falënderoj, pasi për hir të së vërtetës, është i hapur. Ai është për formulën e zgjedhjes së presidentit nga populli. Ne po punojmë me të gjithë krahët, po punojmë në unison që të mos ketë kundërshti brenda sallës së Kuvendit”.
-Është vënë re që mungojnë firmat e disa deputetë të PD-së, por edhe të aleatëve. Mos do të thotë që ata nuk janë dakord me nismën tuaj?
“Mungesa e firmave të disa deputetëve demokratë dhe të aleatëve është vetëm për çështje teknike. Ata nuk kanë qenë të pranishëm dhe vetëm për këtë motiv mungojnë edhe firmat e tyre për momentin. Të gjithë deputetët janë të prirur që ta firmosin këtë dokument”.
-Po nga deputetët e krahut të majtë, do të kërkoni firma?
“Patjetër që do të vazhdojmë me mbledhjen e firmave edhe nga deputetët e krahut të majtë. Do të ndjekim edhe prononcimet e tyre publike. Ne do t’i ndjekim me kujdes, deri në ditën e hënë, kur ta paraqesim edhe kërkesën në Kuvend”.
-Cili është numri që synoni të arrini?
“Sa të mundemi, derisa të arrihet numri 94”.
-Kjo lëvizje e juaja, a mund të cilësohet si një lëvizje e grupit mbështetës të Bamir Topit në Partinë Demokratike?
“Nuk ka në Partinë Demokratike mbështetës të Bamit Topit apo të Sali Berishës. Ka deputetë të Partisë Demokratike, një grup parlamentar unik që mbështesin qeverinë për reformat, që mbështesin ndryshimet kushtetuese, por që mbështesin edhe zgjedhjen e presidentit nga populli”.
-Prisni që kryeministri Berisha të jetë një ndër firmëtarët e kësaj nisme?
“Patjetër, patjetër...”