E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë gladiatorësh në GKA

Ndërrimi i karrigeve në Galerinë Kombëtare të Arteve ka çuar në nxjerrjen e të palarave nga ana e dy drejtuesve

Ka dalë sheshit më në fund konflikti i heshtur midis ish-drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Genc Mulliqit dhe Rubens Shimës. Një shkresë e firmosur nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka mbërritur para dy ditësh në zyrën e drejtorit tashmë të dorëhequr, Genc Mulliqi, pa asnjë motivacion konkret, ku vetëm cilësohej ndërrimi i karrigeve mes postit të drejtorit e nëndrejtorit të njërit prej institucioneve më të rëndësishme kulturore në vend. “Kam vendosur që të jap dorëheqjen nga detyra ime në GKA, pas shkarkimit që m’u bë nga Ylli Pango nga drejtor i këtij institucioni, në nëndrejtor. Në urdhrin e ministrit nuk jepeshin shkaqet e këtij ndryshimi postesh dhe besoj se kemi të bëjmë me një rast unikal, ku për herë të parë bëhet shkarkimi i një drejtori në kësi formash, në një kohë kur dihet botërisht, se më parë po nga ana e zotit Pango, është kërkuar dorëheqja e nëndrejtorit të akuzuar prej tij, që ai sot e emëron drejtor”, është shprehur Mulliqi.

Ndërrimi i karrigeve në Galerinë Kombëtare të Arteve ka çuar në nxjerrjen e “të palarave” nga ana e dy drejtuesve, aq sa dukej sikur Genc Mulliqi kishte pritur pikërisht këtë moment për të bërë publik shkeljet që ai ia adreson njeriut që sot është ulur në karrigen e tij. “Rasti “Shima” është tipik që në vitin 2006, kur ai nuk mundi të tërhiqte fondin e akorduar të investimeve të MTKRS-së për GKA-në me një shumë prej shtatë milionë lekësh të reja, që ky institucion i kishte mëse të nevojshme. Ai është zero edhe në aspektin e donacioneve, ku në vitin 2006 dhe 2007 ai ka pasur zero të tilla. Rasti “Shima” është makut dhe për nëntë muaj rresht ai ka përfituar rrogë të dytë, duke shfrytëzuar besimin administrativ të dhënë nga titullari”, shton ai. Genc Mulliqi shkon edhe më tej, duke guxuar të shprehë se bëhet fjalë për rrënjë të thella korrupsioni mes ministrit Pango dhe zotit Shima.

Ky i fundit, si drejtor në fuqi i Galerisë Kombëtare të Arteve, ka bërë daljen e parë publike në pozicionin e drejtorit ditën e djeshme, duke gjetur rastin për të vënë në vend imazhin e përlyer nga paraardhësi i tij. I shoqëruar edhe nga një specialiste e auditit në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ai ka thënë se krejt rastësisht është bërë pjesë e këtyre akuzave të padrejta. “Shpifja e akuzave është bërë e modës tani nga njerëz që largohen nga detyra. Por unë mund t’ju pohoj, se zoti Mulliqi është përgjegjës për shumë shkelje, e të gjitha këto janë vetëm shpifje të ulëta nga individë të paaftë për përmbushur detyrën”, thotë Rubens Shima.

Akuzat mes të dyja palëve kanë nisur që shtatorin e vitit të kaluar, ndërsa përçarja në mbarëvajtjen e punës në galeri kishte muaj që ndihej. Rasti më i fundit kishte të bënte me konkursin ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 2007”, ku konflikti lidhej me përzgjedhjen e kuratorit të këtij evenimenti. “Si një aktivitet ndërkombëtar, është e rëndësishme që të ketë një koncept ndryshe, të veçantë dhe njëkohësisht një kurator me eksperiencë. Ndaj, jo pa qëllim, unë personalisht propozova Laura Gannon, kuratore e artiste britanike për “Onufrin”, thotë drejtori i dorëhequr Mulliqi, duke shtuar se shumëkush e mban mend tërbimin e Pangos para një viti, kur mori vesh për punën e keqe të bërë nga Rubensi për pavijonin shqiptar në Bienalen e Venecias, e ky tërbim u kthye shumë shpejt në një “flirt simbiotik”.

Por në gjithë këtë situatë të zymtë që ka mbërthyer çdo kënd të Galerisë Kombëtare të Arteve, ka vend edhe për pakëz shpresë. Pa iu gëzuar ende postit të ri, drejtori aktual Shima i është futur punës për të realizuar një seri projektesh ambicioze që pritet t’i ndryshojnë fytyrën GKA-së. “Brenda një kohe rekord do të ndërtohen linjat muzeale, do të siguroj fondet e nevojshme për këtë institucion, do të hapet kati i tretë i galerisë dhe e gjithë kjo për t’i dhënë dimensionet e munguara këtij institucioni”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›