Rama çan "rrethimin" në Lazarat

Për herë të parë, një drejtues i së majtës ka kaluar “kufirin” e Lazaratit. Edi Rama ka mundur të çajë dje hendekun që për vite me radhë banorët e këtij komuniteti kishin vendosur me të majtën shqiptare. Në Lazarat, aty ku edhe ish-diktatori Enver Hoxha e kishte vështirë të bënte të mundur zbatimin e ligjit, deri më dje të majtët as që kishin mundur të shkojnë e jo më të kërkonin votat. Ndërkaq, një ditë më parë, të mërkurën, kreu i PS-së ishte në Konispol, për herë të dytë gjatë turit “Dialog me Shqipërinë”. Ai iu kërkoi banorëve të zonës të mbështesin politikën e re, për të rikthyer shpresën se në Shqipëri mund të jetohet me dinjitet e me punë të ndershme. Edi Rama ritheksoi se është e domosdoshme një politikë ndryshe, për t’i dhënë fund punës në tokat e fqinjëve. Ai iu kërkoi gjithë shqiptarëve të ndëshkojnë me votë ata që bëjnë premtime dhe, sipas tij, që sjellin vetëm zhgënjime.