E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Prioriteti kryesor për 2012-ën, integrimi në BE

TIRANE - Bilanci i vitit 2011 për Ministrinë e Brendshme është i suksesshëm, deklaroi për mediat ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, duke veçuar si arritje procesin e monitorimit të lëvizjes së lirë si dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.

Ministria e Brendshme ka bërë të mundur respektimin e kritereve te Bashkimit Europian, ndërkohë që ka dhënë një kontribut me listat e zgjedhësve për zgjedhjet lokale te 8 majit si dhe krijimin e një klime të sigurt jo vetëm gjatë fushatës, por edhe ditën e zgjedhjeve.

Duke folur për luftën kundër krimit, Nishani theksoi se vrasjet gjatë këtij viti janë përgjysmuar, ndërsa lufta kundër trafikut të drogës ka pasur impakt pozitiv. “Ka pasur arritje të rëndësishme, që përbëjnë një bazë ku ne do të vijojmë rrugën edhe vitin e ardhshëm, duke vënë si prioritet 12 rekomandimet e Komisionit Europian", - theksoi Nishani.

Ministri i Brendshëm hodhi poshtë akuzat e deputetit socialist, Ilir Gjoni, se drejtuesit e ministrisë kanë kryer vjedhje përmes blerjes së sendit të vjedhur, lidhur me makinat qe kanë në përdorim. "Këto janë akuza me motive të pastra politike", - tha Nishani.

Duke u ndalur tek prioritetet për vitin e ardhshëm, kreu i ministrisë së Brendshme tha se prioriteti kryesor për vitin 2012 do të jetë procesi i integrimit në BE.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›