Nishani: Prokuroria të nis hetimet për shantazh ndaj Presidentit
Presidenti, Bujar Nishani, ka reaguar me një ton të ashpër ndaj akuzave të bëra nga përfaqësues të mazhorancës në drejtim të tij. Duke hedhur poshtë deklaratat e bëra se bashkëshortja e kreut të shtetit është pronarja e truallit ku ndodhet aktualisht selia e Partisë Demokratike, Presidenti i kërkon Prokurorisë që të nis hetimet për deklaratat e bëra kundrejt tij.
Reagimi
Në reagimin e tij, kreu i shtetit cilëson deklaratat e fundit, si një sulm antikushtetues me ngjyrim politiko-propagandistik të cilat sipas tij synojnë të terrorizojnë psikologjikisht familjen e Presidentit. Institucioni i Presidentit të Republikës duke hedhur poshtë me përbuzje dhe neveri të tilla shpifje, deklaron me vendosmëri se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë. Ky akt i turpshëm shpifjeje dhe ky sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik, synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës dhe të ndalë ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga ana e Kreut të Shtetit, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Presidentit.
Hetimet
Në vijim, Presidenti kërkon nga Prokuroria nisjen e hetimeve për deklaratat e bëra në adresë të tij ndërsa i bën thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama që të ndalë këtë fushatë kundër kreut të shtetit. Me këtë rast dhe në këto rrethana, Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë procedurën e hetimit penal ndaj këtij shantazhi që po i bëhet Kreut të Shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës, lidhur me të njëjtin problem, i kërkon gjithashtu Zotit Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste propozuar nga shumica e re për postin e Kryeministrit, ta ndalë urgjentisht këtë fushatë të ulët, të padrejtë dhe të padenjë, kundër Kreut të Shtetit. Ftoj me këtë rast cilindo shtetas shqiptar që çdo pretendim për shkelje të Ligjit nga ana e Presidentit të Republikës ta denoncojë normalisht në institucionet përkatëse të Drejtësisë. Institucioni i Presidentit të Republikës, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk duhet, nuk mund, dhe nuk është përfshirë kurrë në luftën politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare, vijon më tej reagimi i Presidentit, Bujar Nishani.
Braçe: Presidenti u përgjigj, por jo plotësisht
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka reaguar pas deklaratës së bërë nga Presidenca e cila i kërkonte Prokurorisë që të niste hetimet për deklaratat e bëra kundrejt kreut të shtetit. Në rrjetin social Facebook, Braçe shkruan se presidenti u përgjigj por jo plotësisht. Presidenti i Republikës tha sot(dje) se: Ai dhe familja e tij nuk ka asnjë interes pronësor në godinën aktuale të Partisë Demokratike!! Më në fund, një përgjigje që është kërkuar nga media, opinioni publik e politik qysh shtatë ditë më parë. Ky standard përgjegjshmërie e transparence natyrisht nuk reflekton praktikat më të mira për pushtetarë, veçmas të atyre të niveleve të larta. Por, ky standard transparence dëshmon edhe për brishtësinë apo varësinë politike deri në asfiksi të institucioneve ligjërisht a politike e të pavarura në këtë vend. Funksionimi i tyre i lirë e ligjor do ti kursente Presidentit një përgjigje kaq të vonuar por edhe të sikletshme: Nëse do të kish funksionuar ILDKP e të kishte publikuar në kohë deklarimet e pasurisë e interesave, të kishte lirinë për tu përgjigjur qytetarëve dhe medias edhe kur bëhet fjalë për nivelin më të lartë të shtetit, atëherë përgjigja do të ishte zyrtare, e ftohtë, e dokumentuar, konkrete dhe aspak emocionale, shkruan ndër të tjera Braçe. Teksa shpreh habinë për deklaratën e Presidentit se eksponentë të maxhorancës së re e kanë bërë deklarata të cilat kreu i shtetit i cilësonte shpifje, Braçe ngre një sërë pyetjesh të cilat ja drejton presidentit Nishani. Presidenti i Republikës ende nuk është përgjigjur për çështje që kanë të bëjnë direkt me detyrën e tij.
Së pari, për mospublikimin e dekretit. Së dyti, për nxjerrjen e dekretit një javë pasi Qeveria mori vendimin e paligjshëm ( Në mungesë të dekretit të detyrueshëm të Presidentit) të pranuar si të tillë edhe nga vetë Kryeministri. Së treti, për nxjerrjen e dekretit nën ndikimin politik të një vendimi të paligjshëm të Qeverisë së mundur në zgjedhje edhe për të tilla praktika të paligjshme. Së katërti, për bazën ligjore dhe dokumentare të dekretit të tij, përputhshmërinë e tij me praktikat e mëparshme të arkivuara pranë Presidentit të Republikës. Së pesti, për bazën ligjore të një akti të shpronësimit të Ushtrisë dhe pronësimit të partisë politike. Së gjashti, për arsyet ligjore të shmangies e më pas refuzimit të mendimit ligjor të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Së fundi, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, për miliona euro të qarkulluara përmes llogarive të SHQU me destinacion kompani klient e televizione të Qeverisë. Besoj se kërkesa për tu përgjigjur këtyre çështjeve nuk do të konsiderohet më shantazh, shpifje apo kërcënim. Transparence e ligjshmëri, kaq i kërkohet edhe Presidentit! I ka detyrim ligjor!!, mbyll shkrimin e tij, deputeti socialist, Erjon Braçe.