E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentë-mazhorancë, një histori 20 vjeçare konfliktesh dhe akuzash

Përplasjet më të bujshme mes Presidentëve dhe kryeministrave

20 GUSHT OK OK 2013.pmdMes Presidentit Bujar Nishani dhe mazhorancës së re ka nisur një konflikt i ashpër që duket se do të vazhdojë gjatë. Por ky nuk është rasti i parë që mes Presidentit dhe mazhorancës qeverisëse ka një konflikt. Kjo lloj marrëdhënie e tensionuar mes Presidentëve dhe qeverive ka nisur që nga lindja e pluralizmit shqiptar. Duke bërë një analizë të shpejtë vihet re se të gjithë presidentët e pas viteve 90-të kanë një histori të pasur konfliktesh me kryeministrat, e për ironi të fatit edhe me ata presidentë që mazhoranca i ka zgjedhur vetë, siç ishte edhe rasti i Topit. Por le ti marrim me radhë të gjitha këto konflikte.

President Sali Berisha

Në mandatin e tij të parë presidencial Berisha nuk kishte asnjë lloj problemi me mazhorancën, sepse ai e kishte atë tërësisht nën kontroll dhe Berisha ishte lideri për gjithçka që nga çështjet e partisë e deri tek çështjet qeverisëse. Por gjithçka ndryshoi pas ngjarjeve të 97-ës, ku në qeverinë e Pajtimit Kombëtar kryeministër u emëruar socialisti Bashkim Fino. Mes presidentit Berisha dhe kryeministrit Fino nisi mes tyre një betejë fillimisht në heshtje, por që më pas u bë shumë publike.

President Rexhep Meidani

Rexhep Meidani ka qenë njëri ndër Presidentët që ka punuar jo me pak, por me plot tre kryeministra socialistë, me Fatos Nanon, Pandeli Majkon dhe Ilir Metën. Edhe pse Mejdani vinte nga radhët e socialistëve, marrëdhëniet e tij me kryeministrat nuk ka qenë aq bashkëpunuese dhe paqësore. Në dukje edhe pse dukeshin marrëdhënie normale, Meidani pati një sërë përplasjesh me kryeministrat socialistë, sidomos me Fatos Nanon. Madje ky i fundit nuk hezitonte ta kritikonte me ironi edhe në daljet televizive.

President Alfred Moisiu

Ishte Presidenti që u zgjodh nga konsensusi i madh mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës. Dhe për ironi të fatit pati një marrëdhënie të tensionuar me të dy. Nano nuk e fshehu asnjëherë që nuk kishte simpati për Moisiun, por mes tyre nuk pati përplasje të përmasave të mëdha. E kundërta ndodhi pas 2005-ës kur në pushtet erdhi Sali Berisha. Ky i fundit edhe pse e pati propozuar vetë Moisiun nisi me të një betejë të ashpër. Përplasja e tyre më e madhe ishte beteja për shkarkimin e Theodhori Sollakut, në atë kohë Prokuror i Përgjithshëm. Presidenti Alfred Moisiu refuzojë në atë kohë kërkesën e Parlamentit për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, veprim i cili solli një përplasje të ashpër mes tij dhe mazhorancës së djathtë që hodhën mbi të një lumë me akuza.

President Bamir Topi

I zgjedhur nga vetë demokratët dhe i akuzuar për blerje votash nga socialistët, mendohej që me Topin mazhoranca e djathtë do ti kishte punët vaj. Dhe fillimi ishte shumë shpresëdhënës, Topi firmoste çdo gjë që vinte nga mazhoranca. Madje shkarkoi edhe kryeprokurorin Sollaku, për të cilin nisi pati nisur beteja Berisha-Moisiu. Por kaq, më pas marrëdhëniet mes Topi dhe Berishës nisën të plasariteshin. Përplasja e parë mes Topit dhe Berishës nisi në për ligjin e legalizimeve. Berisha dhe qeveria e tij e reklamuan si një fitore miratimin e ligjit të legalizimeve, por Presidenti Topi e riktheu në parlament këtë ligj me arsyetimin juridik që kishte shkelje me Kushtetutën. Një veprim më shumë politik se sa teknik. Ky ishte ligji i parë që Topi nuk vepron ashtu si Kuvendi me shumicë demokrate. Por beteja më e fortë që nisi përplasjen e madhe Berisha Topi, ishte dekretimi i 5 anëtarëve të Gjykatë së Lartë, ku parlamenti e hodhi poshtë kandidaturat duke krijuar një të çarë të madhe mes Topit dhe Berishës. Berisha deklaroi se morën përgjigje të merituar ata që kërkonin të krijonin minorancë bllokuese në parlament. Më pas Topi dhe Berisha nisën me tyre një konflikt të madh ku patën akuza të forta edhe për ngjarjet e 21 janarit, ku Berisha e cilësoi Presidentin si një puçist. Kjo armiqësi u finalizua me lindjen e FRD-së nga ana e Bamir Topit.

President Bujar Nishani

Edhe ky i zgjedhur nga Berisha, dhe i cilësuar nga e majta si një ushtar i Berishës. Por Nishani nuk e pati fatin të bashkëjetonte gjatë me kryeministër Berishën për të kuptuar se si do të vijonte marrëdhënia mes tyre. Tashmë Nishani ka nisur një përplasje të madhe me mazhorancën e re. Disa përfaqësues të së majtës e kanë akuzuar Nishanin se ka firmosur në mënyrë jo ligjore dekretin për kalimin e SHQUP në favor të PD, nga ana tjetër Presidenti ankohet se mazhoranca po i bën vetëm shantazh. E kjo përplasje duket se është vetëm fillimi mes Nishanit dhe mazhorancës së majtë….

Moisiu për Nanon dhe Berishën

Kemi patur përplasje midis meje dhe kryeministrave. Fatos Nano ishte më i sofistikuar në përplasjen me mua, më cinik, por edhe më qytetar, ai punonte nën rrogoz për të krijuar probleme, ndërsa përballë ishte korrekt. Sali Berisha krejt e kundërta, donte ti zgjidhte punët më shumë nëpër media, jo me kontakte direkte, nuk vinte kurrë të thoshte Kemi këtë problem, si ta zgjidhim.

Rrëfimi i Nanos për presidentët Moisiu e Meidani

 

Më poshtë një pjesë e shkëputur nga një shkrim i Fatos Nanos si replikë për librin e Alfred Moisiut.

Meidani ishte një President që u karakterizua nga futja e një fryme të buonsensit akademik në marrëdhëniet midis institucioneve dhe që në një pjesë dominuese të ushtrimit të mandatit të tij, arriti ta mbrojë autoritetin dhe mandatin e Presidentit nga interferencat negative të konflikteve politike midis palëve. Jo në të gjithë kohën, sepse duke jetuar edhe Presidenti në një mjedis të politizuar dhe ballkanas si Shqipëria, edhe ai nuk mundi të ruajë Presidentin si institucion, jo veten se nuk është problemi të ruash veten nga lobingje apo grupime transitore politike që reflektonin ndryshimet në qeveria apo në debatin politik midis palëve. Natyrisht, nuk arriti dot të bëhet President i të gjitha palëve. Për shkak edhe se opozita e Berishës nuk e favorizonte këtë gjë. Presidenti Moisiu ishte produkt i një konsensusi mbi partiak, i të gjitha palëve dhe paradoksalisht nuk funksionoi dot si i tillë. Jo më shumë për arsye politike, se sa për arsye të pamundësisë, ndoshta edhe të pamundësisë së tij personale, për të thithur dhe për të kthyer me vlerë të shtuar tek performanca e tij, gjithë eksperiencën e politikës, e institucioneve të reja, të vetë Kushtetutës, apo të historisë politike të Shqipërisë në pluralizëm. Në shumë raste Moisiu kishte koncepte personale për institucionet, dhe jo vetëm për institucionin e tij. Për shembull, më kujtohet që kërkonte që Garda e Republikës të ishte në kontrollin e Presidentit, si xhandarmëria në kohën e Zogut. Kjo lidhej me një eksperiencë apo njohuritë e tij politike nga e kaluara e babait apo kohës kur ishte formuar. Gjithashtu kërkonte të thërriste në raport dhe të mbante qëndrim ndaj ministrave, pavarësisht nga norma kushtetuese e detyrimit për të mbajtur raporte informimi reciprok me Presidentin për anëtarët e Ekzekutivit përfshi edhe Kryeministrin. Gjë që në periudhën kur isha unë Kryeministër nuk çoi në konflikte, për shkak të natyrës sime të njohur, pra edhe të anashkalimit të konflikteve me humor dhe me buonsens. Madje bashkëpunëtorët e mi të ngushtë në staf, kur Moisiu u shtronte kërkesa edhe jashtë ritmikës së axhendës së Kryeministrit, edhe jashtë sensit të rregullimit të gjërave nga pikëpamja kushtetuese, më thoshin: -Evitoje konfliktin dhe shko takoje, përfytyro në një moment sikur do të shkosh të takosh babanë tënd. Gjë që jo gjithmonë përfundonte me të njëjtën ndjenjë kënaqësie, që unë kisha kur takoja babanë tim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›