E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Qeveria ka bërë një punë të shkëlqyer dhe profesionale për përgatitjen e zgjedhjeve

Për sa i takon interesimit të Grossruck mbi pretendimet e Partisë Socialiste për mungesë transparence dhe mungesë informacioni, ministri Nishani informoi se Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion të Partisë Socialiste dhe komisionit parlamentar 

ad-hoc çdo informacion të kërkuar duke përjashtuar vetëm rastet kur dhënia e këtij informacioni nuk ka qenë e lejuar për konfidencialitetin e të dhënave personale.

Qeveria ka bërë një punë e shkëlqyer dhe profesionale për përgatitjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Është ky qëndrimi i koordinatorit special të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit në Shqipëri, Wolfgang Grossruck gjatë një takimi që zhvilloi dje me Ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. 

Fillimisht Nishani e njohu  Grossruck me punën e kryer nga Ministria e Brendshme dhe strukturat e saj për përgatitjen e një infrastrukture zgjedhore të atillë që të përmbushë standardet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Duke u ndalur në këtë aspekt Ministri i Brendshëm informoi në takim për krijimin e Regjistrit Kombëtar Elektronik të Gjendjes Civile, regjistër i cili u krijua sipas modelit austriak, si një nga më të përparuarit në këtë fushë dhe nën asistencën e vazhdueshme të OSBE-së dhe Delegacionit të KE-së në Tiranë. Nishani nënvizoi se nga ky regjistër ka buruar lista paraprake e zgjedhësve e publikuar brenda afateve të përcaktuara ligjore, katër muaj para datës së zgjedhjeve, duke i dhënë mundësinë kështu çdo zgjedhësi të verifikojë ku gjendet në listë, në cilën qendër do të votojë dhe cila është adresa e qendrës së votimit. Më tej, Ministri Nishani informoi Grossruck për ecurinë e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet elektronike, një dokument identiteti të standardeve më të larta në hapësirën e Bashkimit Evropian. 

“Ne kemi përmbushur përgjegjësitë tona për këtë proces, së pari duke ngritur kapacitetet e nevojshme teknike, ku aktualisht në terren kemi 500 stacione aplikimi, duke vendosur orare të zgjatura pune që tani shkojnë deri në 14 orë në ditë për 7 ditë të javës në shërbim të qytetarëve, së dyti duke informuar çdo qytetar mbi zhvillimin e këtij procesi jo vetëm nëpërmjet informacioneve e deklaratave zyrtare, por edhe nëpërmjet një fushate intensive publicitare. Deri tani kanë aplikuar rreth 1.3 milion shtetas dhe mbi 800 mijë prej tyre i kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike”, u shpreh Ministri i Brendshëm. 

Ndërkaq për sa i takon interesimit të Grossruck mbi pretendimet e Partisë Socialiste për mungesë transparence dhe mungesë informacioni, ministri Nishani informoi se Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion të Partisë Socialiste dhe komisionit parlamentar ad-hoc çdo informacion të kërkuar duke përjashtuar vetëm rastet kur dhënia e këtij informacioni nuk ka qenë e lejuar për konfidencialitetin e të dhënave personale. Nga ana e tij koordinatori special i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore është bërë një punë e shkëlqyer dhe profesionale dhe sugjeroi nga ana tjetër që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për të forcuar klimën e besimit mes forcave politike për organizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe duke përmbushur standardet ndërkombëtare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›