E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: SHISH, nuk është detyra ime që ta pengoj Kryeministrin

Bledar Hoti

Kosova

Vizita – Vizita ka të bëjë me çështjen e vlerësimit dhe e respektit të bashkëkombësve tanë që jetojnë në Kosovë, respektin dhe nderimin për arritjen e standardeve të lirisë, tha ai.

Qëndrimet

Opozita – Unë nuk kam asnjë tension me opozitën, përkundrazi kam respektin maksimal për opozitën politike. Presidenti nuk do të bjerë pre e asnjë platforme politike

Referendumi – Konsensusi do të jetë gjëja më e mirë që mund të arrijnë forcat politike. Në parim çështja e votimit nga qytetarët është ushtrimi i një demokracie të drejtpërdrejtë

Presidenti flet për heqjen e Shaqirit. Lejova Berishën të kryejë detyrën

BLEDAR HOTI

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i kujton opozitës se nuk është detyra e tij ti bëhet pengesë Kryeministrit në ushtrimin e detyrës së tij. Për herë të parë kreu i shtetit ka folur publikisht në lidhje me shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Informativ Shtetëror. Presidenti ka ushtruar tagrin e vet kushtetues, duke lejuar Kryeministrin e vendit të përmbushë të drejtat e tij ligjore. Ata, të cilët mendojnë që puna apo detyra e Presidentit është që të pengojë Kryeministrin e vendit të ushtrojë detyrat e tij, kanë një keqkuptim të madh me sistemin. Pa diskutim që shqetësimet e opozitës janë pjesë e vëmendjes së pandërprerë të Presidentit, por besoj se ato duhet të jenë të fokusuara gjithmonë në mënyrën se si funksionojnë institucionet, tha Nishani për TV Klan. Kreu i shtetit, në të njëjtën kohë, foli dhe mbi marrëdhëniet me SHBA-në, ku ndryshimi i kreut të SHISH-it ngjalli pakënaqësi, pasi ai nuk u krye në konsultim me aleatin strategjik. SHBA-ja përmes përfaqësuesve të tyre në Tiranë ka treguar gjithmonë qartë se marrëdhëniet ndërtohen me shtetin, marrëdhëniet ndërtohen më institucionet, marrëdhëniet ndërtohen mbi bazën se si funksionojnë këto institucione të respektimit të kushtetutës dhe të respektimit të ligjeve dhe besoj se ky standard ka qenë, është dhe do të mbetet i pacenueshëm, theksoi Nishani.

Kryeprokurori dhe opozita

Presidenti foli edhe për çështjen e mandatit të Kryeprokurores Ina Rama, duke mos e saktësuar se kur mbaron ai. Nishani shmangu dhe faktin nëse do të propozojë për një mandat të dytë Ina Ramën.

Për momentin ne kemi një Prokuror të Përgjithshëm në detyrë, e cila do të mbështetet deri ditën e fundit të detyrës së saj nga Presidenti, në përmbushje të misioneve të saj ligjore dhe kushtetuese. Kjo është një çështje e një kohe të caktuar. Unë e kam shprehur vazhdimisht publikisht se institucioni i Prokurorisë ka nevojë për një rritje të madhe të profilit profesional, për një rritje të forcës dhe integritetit të të gjithë pjesëtarëve të Prokurorisë në luftën ndaj kriminalitetit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit. Unë, personalisht, e shoh institucionin e prokurorisë në një moment, i cili duhet të ridimensionojë shumë fort profilin profesional dhe angazhimin dhe kurajën e saj, tha Nishani. Presidenti, në intervistën e tij, u shpreh se për emërimin e anëtarëve të Gjykatës do të zhvillojë konsulta me grupet parlamentare, duke nënkuptuar edhe opozitën. Unë nuk kam asnjë tension me opozitën, përkundrazi kam respektin maksimal për opozitën politike. E shoh atë si një nga vlerat më të rëndësishme të demokracisë në vend, por nga ana tjetër unë dua të garantoj qytetarët e vendit tim, që Presidenti nuk do të bjerë pre e asnjë platforme politike apo taktike elektorale të partive politike, por gjithmonë do të jetë në përmbushje të misionit dhe detyrës së tij. Presidenti duhet të funksionojë me gjithë kapacitetin që parasheh Kushtetuta e vendit, theksoi Nishani. Për sa i përket imunitetit, Presidenti thekson se është mirë që ai të hiqet, por e sheh si të mirë që kjo të realizohet me konsensus. Kjo është një çështje që i takon debatit politik të partive politike. Natyrisht që konsensusi do të jetë gjëja më e mirë që mund të arrijnë forcat politike. Në parim çështja e votimit nga qytetarët është ushtrimi i një demokracie të drejtpërdrejtë, por edhe në rastin konkret të referendumit Presidenti është pjesë e vendimmarrjes, tha ai. Për sa i përket kufirit detar me Greqinë, Presidenti u shpreh se ska nisur ende asnjë negociatë dhe se do ti kthejë zyrtarisht përgjigje letrës së opozitës.

Nishani: SHISH, nuk është detyra ime që ta pengoj Kryeministrin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›