E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese i hap rrugë ndërtimit të kompleksit parlamentar te Piramida- rrëzohet ankimimi i bashkisë së Tiranës

10-06-2011 / Gazeta 55

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot kërkesën ankimore të Bashkisë së Tiranës për prishjen e Piramidës dhe ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Seanca nisi sot rreth orës 10:00 të paradites me dëgjimin e palëve të interesuara në këtë konflikt, Bashkinë e Tiranës, Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, lidhur me ligjshmërinë për “ngritjen e godinës së re tek Piramida”.


Me anë të kësaj padie Bashkia kërkonte “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës” ndërmjet pushtetit qendror, i përfaqësuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe qeverisjes vendore, i përfaqësuar nga Bashkia e Tiranës, për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të Kuvendit.


Bashkia e Tiranës kërkoi shfuqizimin dhe e quan si të papajtueshëm me Kushtetutën, vendimin nr. 66. datë 21.10. 2010 për ndërtimin e Kuvendit të Shqipërisë. Përfaqësuesja e saj ligjore, Natasha Kondi, tha se shembja cenon parimin e decentralizimit, pavarësinë e pushtetit vendor si dhe ka kosto të larta financiare. Ndërkaq në emër të Këshillit të Ministrave, Marsida Xhaferrllari hodhi poshtë pretendimet e Bashkisë duke i vlerësuar ato si të pabaza.


Pas dëgjimit të palëve të interesuara, anëtarët e Kushtetueses hodhën poshtë kërkesën me pretendimin e mungesës së argumenteve. Më 24 mars një juri ndërkombëtare përzgjodhi mes 12 projekteve, atë të një studioje arkitekture nga Vjena (Austri) si fitues të konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar, të shpallur nga Kuvendi. Kompleksi i ri parlamentar pritet të përurohet në 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa ndërtimi i tij do të bëhet aty ku sot ndodhet Piramida.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›