Zhvillimi i bujqësisë, Qeveria orienton projektet drejt drurëve frutorë dhe arrorë

Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se pas infrastrukturës rrugore Qeveria do orientojë projektet drejt drurëve frutorë dhe arrorë. Sipas kryeministrit këto projekte janë më të rëndësishmet për zhvillimin e bujqësisë në vend. Gjatë vizitës në një serë me ullinj në zonën e Kodër Kamzës në kryeqytet, kryeministri Berisha theksoi se qeveria është duke lëvruar fondet për të mbështetur këto projekte. “Në këtë proces të rëndësishëm ne supozojmë që të mbjellim 20 milionë ullinj për 4 vjet dhe kështu ne e shndërrojmë Shqipërinë në një prodhues të përfillshëm të vajit të ullirit në rajon”- u shpreh Berisha ndërsa u ka bërë apel qytetarëve të mbjellin të paktën një rrënjë ulli si simbol i përjetësisë. Më tej kryeministri Berisha duke iu referuar projektit të arrorëve theksoi se është rritur shumë kërkesa e fermerëve të cilët dëshirojnë të kultivojnë arrorët. “Të duket sikur ky projekt paska qenë në pritje të një apeli pasi është dëshmuar një interes shumë i madh për arrorët pasi kemi vështirësi për të përballuar kërkesat e fermerëve për kultivimin e tyre”- tha kryeministri. Më tej, kreu i qeverisë Berisha deklaroi se vaditja do të jetë një tjetër projekt i rëndësishëm që qeveria do të ndërmarrë për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri, duke premtuar kështu investime në kanalizime dhe ujësjellës.
...