E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Si po e hartojmë draftin për OPGJ-të

Deklarata

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka folur dje për projektligjin e policisë gjyqësore. Ai tha se drafti që po përgatitet nuk do të shkelë Kushtetutën për sa i përket hetimit të një procedimi penal. “është i vërtetë fakti që Ministria e Drejtësisë po udhëheq punën me Ministrinë e Brendshme dhe prokurorinë për disa ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, por këto ndërhyrje kurrsesi nuk mund të prekin të drejtën e hetimit që Kushtetuta ia jep organit të prokurorisë. Synimi që ka ndërhyrja në këtë ligj është për të përmirësuar mënyrën e procedurës së komunikimit dhe të veprimtarisë së ndërsjellë të oficerit të policisë gjyqësore me prokurorin dhe me Policinë e Shtetit, pasi oficeri i policisë gjyqësore është një hallkë mes Policisë së Shtetit dhe prokurorit të hetimit të një çështje”, tha Nishani. Sipas tij, baza mbi të cilën po punohet, politika mbi të cilën po punohet për të ndërhyrë dhe për të bërë disa ndryshime në ligjin është një udhëzim i përbashkët i firmosur përpara dy vitesh nga ministri i Brendshëm dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ligji i ri për policinë gjyqësore do të parashikojë, sipas Nishanit, mënyrat e komunikimit, por edhe të vënies në jetë të procedurave, qoftë në momentet e para të hetimit paraprak ashtu edhe në vijimësi të procesit të hetimit midis policisë dhe prokurorisë, përmes oficerit të policë gjyqësore. Megjithatë, gjatë reagimit për këtë ligj, ministri Nishani nuk ka përmendur nëse oficerët e policisë gjyqësore, që janë në varësi të prokurorisë, duhet apo jo të kalojnë në varësi të Policisë së Shtetit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›