E Diel, 1 Nëntor 2026

Librazhd, zgjidhet me sëpatë sherri në familje

Një 55-vjeçar vret nënën dhe plagos vajzën e tij
Një tjetër krim monstruoz i shtohet listës së gjatë të këtij fillimviti. Një 55-vjeçar ka vrarë me sëpatë pikërisht njeriun që e solli në jetë dhe më pas me të njëjtën mënyrë ka dashur t’i marrë jetën edhe vajzës së tij 18-vjeçare. Ka vrarë nënën e tij me dy të rëna të sëpatës dhe ka plagosur rëndë vajzën e vet. Ngjarja ndodhi dje pasdite në fshatin Prevallë të Komunës së Lunikut, rreth 40 kilometra larg qytetit të Librazhdit. Sipas policisë, 55-vjeçari Haki Miska ka vrarë nënën e tij 75-vjeçare, Dije Miska, dhe ka plagosur vajzën 18-vjeçare, Besianën, duke i gjuajtur me sëpatë në oborrin e shtëpisë. Ende nuk dihen plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, por paraprakisht policia jep versionin e motiveve të dobëta. Uniformat blu janë nisur drejt vendit të ngjarjes rreth 40 minuta pas krimit dhe kanë mbërritur atje më shumë se tri orë më vonë, duke i lënë kohë vrasësit të largohej.
Ngjarja
Gjithçka ka nisur dhe përfunduar në afro 15 minuta. Grindjet mes 55-vjeçarit, baba i dy fëmijëve, pa grua dhe me një nënë të moshuar kishin nisur prej ditësh, por arritën kulmin në mbrëmjen e djeshme, rreth orës 17:15. Sipas policisë, vrasësi, pas një grindjeje me familjarët dhe nënën e tij, në gjaknxehtësi e sipër ka filluar të kërcënojë me vrasje të gjithë pjesëtarët e familjes. Përpjekjeve të nënës së tij të moshuar për ta qetësuar djali u është kthyer me dy goditje të shpejta me sëpatë në kokë e në trup duke e lënë të vdekur në vend. Kur gjyshja 75-vjeçare është shtrirë përtokë pa jetë dhe e mbuluar me gjak, ka ndërhyrë Besiana 18 vjeçe, por edhe ajo është goditur pa mëshirë nga i ati, duke u plagosur rëndë në anën e djathtë të kraharorit. Kur fqinjët kanë dëgjuar britmat e familjarëve të mbetur gjallë, janë afruar për ndihmë. Në një situatë të tillë, 55-vjeçari ka marrë rrugën nëpër dëborë dhe është zhdukur pa lënë gjurmë në errësirë. Të afërmve dhe fqinjëve nuk ka mbetur tjetër veçse të përcjellin me urgjencë për në spital vajzën 18 vjeçe dhe të fusnin në shtëpi trupin e pajetë të gruas 75-vjeçare.
Hetimet
Policia është gjendur në vendngjarje rreth orës 20:30 të mbrëmjes, pasi makinat kanë hasur vështirësi nga dëbora e sidomos nga ngricat në vendin e quajtur “Shkalla e Lunikut”. Policëve u është dashur që për rreth 30 minuta të ecin në këmbë drejt fshatit Përvallë, rreth 12 kilometra larg qendrës së Komunës Lunik. Sipas burimeve policore të Librazhdit, forca të shumta policore kanë bllokuar të gjitha rrugëkalimet e mundshme  nëpër të cilat mund të largohet autori i krimit. Ai, sipas skedës policore rezulton të jetë person me precedentë të shumtë penalë, mes të tjerave edhe i dënuar njëherë për vjedhje e rrahje të një fqinji 30-vjeçar. Ndërkaq, mësohet se rreth 15 vite më parë ka vdekur në rrethana të paqarta gruaja e Haki Miskës, Mimoza. Në vitin 1995, gruaja u gjet e vrarë në anë të një përroi. Policia hodhi në atë kohë dyshimet te bashkëshorti i saj, por për mungesë provash dosja u mbyll pa autor. Burime policore thanë dje se mes ngjarjes së djeshme dhe asaj të 15 viteve më parë mund të ketë lidhje dhe se po hetohet në këtë pistë. Ndërkohë, burimet policore bëjnë të ditur se autori i krimit të rëndë njihej si person problematik në fshat, pasi për të ka pasur shpesh ankesa në komunë dhe në polici.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›