E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i Kontaktit i tërheq vërejtje Beogradit

Vendet anëtare të kuintit (SHBA, Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia) përkatësisht Grupi i Kontaktit pa Rusinë, kanë paralajmëruar Beogradin se në të ardhmen nuk do të tolerohet fushata e drejtuar kundër tyre dhe shteteve të tjera të cilat e kanë njohur Kosovën, kanë thënë për gazetën "Dnevnik" të Novi Sadit burime të kuintit në Bruksel, transmeton QIK-u. Sipas gazetës, disa vende të kuintit tashmë i kanë përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë nota diplomatike, në të cilat qartë kanë bërë me dije se nuk do të tolerohen përpjekjet e minimit të prestigjit të tyre ndërkombëtar dhe të ndikimit në zbatimin e politikës ndaj Kosovës të diplomacisë serbe. "Deri më tash në masë të madhe kemi toleruar politikën e jashtme të Serbisë sa i përket çështjes së Kosovës, sepse kemi besuar se me kohë kjo çështje do të hiqet nga axhenda", ka thënë një funksionar nga shtetet e kuintit. "Kemi besuar kur na është thënë se paraqitjet e ministrit Jeremiq për Kosovën janë me qëllim të mbrojtjes së Presidentit Tadiq nga sulmet e nacionalistëve në Serbi. Kemi besuar edhe kur iniciativa në OKB na është prezantuar si mënyrë që çështja e Kosovës të hiqet nga agjenda. Mirëpo, Kosova është edhe më tutje temë kryesore politike. Prandaj disa anëtare të BE-së kanë vendosur që sa më parë t'i bëjnë me dije Beogradit se më nuk do të tolerojnë që kushdoqoftë nga Serbia të shkojë nëpër botë dhe të përpiqet që të luhasë reputacionin dhe influencën e tyre. Askush nuk mundet që në takimet me shtetet e treta të akuzojë BE-në dhe SHBA-të se po shkelin të drejtën ndërkombëtare, ndërsa në të njëjtën kohë synon të ketë marrëdhënie të mira me ne", citohet të ketë thënë një bashkëbisedues i gazetës "Dnevnik". Ai ka shtuar se meqë ende nuk ka paralajmërime publike nga BE-ja, por vetëm të tilla të balancuara, kryesisht nga kontaktet diplomatike ose në takimet në katër sy, Beogradi nuk duhet kuptuar aq lehtë. "Përkundrazi, kur vërejtjet bëhen publike, do të jetë shumë më vështirë që pasojat të ndreqen. Tekefundit, Beogradi në këtë kontekst duhet t’i kushtojë vëmendje qëndrimit të Spanjës. Madridi nuk e njeh Kosovën, por, edhe pse ka mundur të vërë veto, ka pranuar që t'i vazhdohet mandati Piter Feithit si përfaqësues special i BE-së për Kosovën. Gjithashtu, Spanja do ta ftojë Prishtinën në takimet jo si "UNMIK Kosovo", por si "Kosova nën rezolutën 1244", por as NAT0-s Madridi nuk ia ka mohuar planin për veriun e Kosovës", ka thënë burimi i gazetës në institucionet europiane.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›