Jelko Kacin: Nuk është fjala për futboll!
L: Ministri Zenun Pajaziti sot në Benrë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me ministren e Drejtësisë dhe Policisë (DFJP) znj.Eveline Widmer - Schluph
Raportuesi i Parlamentit Europian (PE) për Serbinë, Jelko Kacin, e kritikoi ashpër deklaratën që ministri i Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, bëri para pak ditësh në Bruksel se Serbia, sa i përket euro-integrimit të saj, e “ka kaluar topin në pjesën e fushës së BE-së”. Ai vuri në dukje se nuk është fjala për futboll, por për të ardhmen e Serbisë. “Nuk po hyn BE-ja në Serbi, por Serbia po përpiqet të hyjë në BE. Sa kohë që zoti ministër (Jeremiçi) do të mendojë se detyra e tij është të komentojë ndeshje futbolli, ai nuk do të jetë ministër i Punëve të Jashtme në detyrë dhe në nivelin e afrimit të vendit të tij me BE-në!”, theksoi z.. Kacin në një intervistë që i dha stacionit “Dojçe Vele” (seksionit serb).
Duke vazhduar më poshtë, parlamentari europian i lartpërmendur gjithashtu vuri në dukje se “Bashkimi Europian momentalisht nuk ka përgjigje pozitive lidhur me kërkesën e Serbisë për anëtarësim në BE”. Kusht kryesor mbetet bashkëpunimi i plotë i këtij vendi me Tribunalin e Hagës, theksoi ai, duke shtuar se kryeprokurori i tij (Tribunalit), Serzh Bramerc, “nuk ka ndërmend të heqë dorë nga sjellja në Hagë e Ratko Mlladiçit dhe e Goran Haxhiçit”, që, sikurse dihet, janë kriminelë lufte që kërkohen nga drejtësia ndërkombëtare për krimet monstruoze që kanë kryer gjatë luftërave në ish-territoret jugosllave gjatë viteve ’90. “Derisa të mos vendoset bashkëpunimi i plotë me Hagën, ne, që në Parlamentin Europian duhet të ratifikojmë marrëveshjen përkatëse me Serbinë, nuk kemi asnjë mekanizëm që ta fillojmë këtë proces. Në një situatë të tillë, nuk janë krijuar kurrfarë kushtesh paraprake që do të mund të mbështesnin kërkesën e Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE”, deklaroi z. Kacin (slloven). Sipas tij, kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, Bramerc, i cili pritet që nga mesi i këtij viti të paraqesë raportin e vet për bashkëpunimin me Serbinë që do të kushtëzojë edhe fillimin ose jo të ratifikimit të Marrëveshjes për Stabilizimin dhe Asocimin të saj me BE-në, është i pakënaqur, në mënyrë të veçantë, me mungesën e mbështetjes publike në Serbi për kapjen dhe dorëzimin e Mlladiçit në Tribunalin e Hagës. “Bashkimin Europian akoma e shokon fakti se në Serbi Mlladiçi perceptohet si hero populli”, theksoi raportuesi për Serbinë i PE-së, duke vazhduar më tej se sfidë aktuale për politikanët serbë “është përballja me të kaluarën e vet, me qëllim që të jenë gati për të ardhmen e vendit”. “Derisa Serbia do të ketë heronjtë e vet kombëtarë të viteve ’90, të mishëruar në personin dhe veprën e Ratko Mlladiçit, ajo nuk do të mund të përmbushë pritjet e BE-së dhe nuk do të mund të afrohet me BE-në”, theksoi z. Jelko Kacin, duke nënvizuar më tej se procesi i afrimit dhe i hyrjes në BE kërkon ndryshime të thella në funksionimin e shtetit serb, kështu që duhet të merren masa për ndërmarrjen e këtyre ndryshimeve.
#